Një person mbeti i plagosur sot në qytetin bregdetar. Policia e Durrësit ndau detaje nga ngjarja e ndodhur sot pasdite në Shkallnur, ku dy persona pas sherrit sulmuan një 36-vjeçar duke e plagosur me qytë pistolete dhe në largim e sipër qëlluan një herë në ajër.
raportohet për të shtëna me armë pas një konflikti mes Denis Tafilit dhe Edison Gjuzit.
Pas ngjarjes dy autorët tashmë të identifikuar janë arratisur me makinë nga vendngjarja, kurse hetimet janë ende aktive.
“Më datë 24.07.2026, rreth orës 15:00, Salla Operative e DVP Durrës është njoftuar se, në fshatin Shkallnur, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. Gj, 36 vjeç, është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit D. T., 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet”, tha policia.
Burime zyrtare thanë se shoqëruan edhe një efektiv policie që ishte jashtë shërbimit gjatë konfliktit të ndodhur dhe që dyshohet se ka qenë pjesë e sherrit. Ndaj tij po kryhen veprime proceduriale nga AMP-ja.
“Gjithashtu, dyshohet se në konflikt ka qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektor L. Xh., i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP)”, vijon njoftimi.
Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete. Dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë.
Ndërkohë, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
© Panorama.al












