Dialogu i Prishtinës me Beogradin deri sot nuk ka sjellë përparim të dukshëm dhe rezultate të prekshme. Një gjysmëpajtim i Kosovës që të marrë kopjet dhe jo origjinalet e dokumenteve kadastrale nga Serbia, nuk është ndonjë arritje impresive, përkundrazi, është pritur me mjaft kritika. Nëse kjo tregon trasenë e kompromiseve të mundshme, është më mirë që një dialog i tillë të mos zhvillohet fare. Paramendoni për shembull, mundësinë që sipas kësaj logjike të ndarjes së origjinalit dhe kopjes, në mënyrë që Prishtina ta falë thesarin arkeologjik dhe etnografik të Muzeut të Kosovës që i mban Beogradi, duke i marrë si “dhuratë” nga “dialogu” kopjet e artefakteve tejet të çmueshme, të cilat, si kopje nuk do të kishin praktikisht asnjë vlerë. Kuptohet, kopjet kadastrale, sigurisht që kanë vlerën përdoruese më të madhe sepse do ta kenë edhe vulën e BE-së që garanton barazvlershmërinë e kopjes me origjinalin, gjë që është e pamundshme për thesarin arkeologjik. Por, nuk besoj se dialogu do të shkojë në këtë drejtim, do të ishte një naivitet dhe budallallëk fatal. Nëse pala kosovare synon me këtë “marrëveshje” të tregojë gatishmëri për lëshime dhe kompromise në çështjet ku nuk dëmtohen thellësisht interesat e Kosovës, mendoj se nuk është zgjedhur problemi më i përshtatshëm për këtë, sepse ky shembull nuk krijon vlerën e njëjtë të lëshimit nga pala tjetër. Simbolikisht ky lëshim i lehtë transfigurohet në një precedencë të dëmshme edhe në çështjen madhore të sovranitetit. Forcohet përshtypja në të cilën insiston Beogradi, se origjinali i sovranitetit mbi Kosovën i takon Serbisë, ndërkaq që Kosova mund të aspirojë dhe të kënaqet vetëm me “kopjen” e sovranitetit, që e vulos ndonjë fuqi ndërmjetësuese, në këtë rast BE-ja. Dhe kjo formulë e kompromisit na kthen gjithnjë te kompromisi famëkeq i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, e cila Kosovën e përcakton si territor nën sovranitetin e Republikës Federale të Jugosllavisë, ndonëse përkohësisht i suspenduar.
Kështu, hija e çështjes së sovranitetit gjithnjë errëson dhe komprometon idenë se dialogu zhvillohet vetëm për çështje teknike, duke mos e prekur aspak çështjen e statusit, as tani në fazën fillestare, e as më vonë, kur do të duhej të përmbyllej me ndonjë rezultat të prekshëm. Në këtë aspekt, sidomos Beogradi, vazhdimisht bën përpjekje që karakterin e dialogut ta lërë maksimalisht të hapur dhe jo të kufizuar në çështje teknike. Negociatori serb, Borko Stefanoviç, ka deklaruar këto ditë se Beogradi është i gatshëm “që të bisedojë për gjithçka. Nga unë asnjëherë nuk do të dëgjoni të them se kjo është absolutisht e papranueshme dhe për këtë kurrë nuk mund të bisedohet”. Duke e konkretizuar këtë koncept të dialogut të hapur, Stefanoviç ka insistuar: “Jemi të gatshëm të bisedojmë edhe për ndarjen e Kosovës”.
Negociatori serb, me këtë provokim ndaj konceptit të Prishtinës, por edhe të BE-së dhe SHBA-ve, që deklarohen se dialogu aktual nuk ka të bëjë me çështje statusore dhe sidomos jo me idetë për ndarjen e Kosovës, nuk shpreh ndonjë qëndrim të vetin personal, por është në vijën që ndjek prej kohësh, kuptohet me kujdes, shefi i tij, kryetari i Serbisë, Boris Tadiç. Duke insistuar prej kohësh në formulën se nuk është aspak e drejtë që në çështjen e Kosovës “njëra palë të humbë gjithçka dhe tjetra të fitojë të gjitha”, Tadiç, pa reshtur insiston në kompensimin territorial ose në ndarjen e Kosovës, si kusht që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, si një pavarësi të cunguar. Kjo ide është një variant i kopjes të atyre projekteve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, që kanë paraparë mundësinë e kompromisit të dhimbshëm, të këmbimit të territorit për paqe dhe të këmbimit dhe ndarjes së popullsisë. Këto ide origjinale të shkrimtarit Dobrica Qosiç, që vetëperceptohet si babai dhe ideologu i kombit serb, por që ka qenë dhe ende është edhe udhëheqës shpirtëror i nacionalizmit serb, vazhdojnë të jenë inspirim për Boris Tadiçin dhe një maxhorancë të elitës politike serbe.
Fakti se Tadiç qëndron në këto pozita është dëshmuar edhe me rastin kur disa javë më parë, nga një forum europian, ia dërgoi ofertën Shqipërisë zyrtare që të fillohen negociatat mes Beogradit dhe Tiranës për zgjidhjen e konfliktit historik mes serbëve dhe shqiptarëve, duke aluduar në anashkalimin e dialogut aktual me Kosovën si një projekt esencialisht i parëndësishëm në formatin e tij “teknik”. Në vend të këtij dialogu, ai ofronte bisedën për një marrëveshje gjenerale me Shqipërinë dhe shqiptarët, ku ravijëzohej perspektiva e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, pasi fillimisht, ashtu siç parashihet në planet e Qosiçit dhe elitës nacionaliste serbe, do të përcaktoheshin qartë kufijtë etnikë mes shqiptarëve dhe serbëve, të shndërruar në kufij të rinj shtetërorë.
Kuptohet, kjo ofertë “gjeneroze”, që i ngjason asaj dhurate danajase (kali i Trojës), nuk është bërë për ta joshur Shqipërinë e as Kosovën, sepse adresat e vërteta të kësaj oferte janë faktorët kyçë ndërkombëtarë, ose fuqitë e mëdha, që janë pronarë dhe distribues real dhe fuqiplotë të paqes, sigurisë dhe të sovraniteteve jo vetëm në rajonin tonë, por edhe gjithandej globit.
Serbia dhe Boris Tadiç do të dëshironin që t’i futen kësaj rruge për ta shitur sa më shtrenjtë që të munden “tapinë” tashmë praktikisht krejtësisht të zhvleftësuar të Rezolutës 1244. Ka disa forca tek ne që e konsiderojnë këtë ofertë si një mundësi serioze që do të çonte drejt përshpejtimit të bashkimit kombëtar. Por, mbase është vetëm rrugë qorre.
© Panorama.al












