Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dalë hapur sot kundër krijimit të një shteti palestinez, duke ndezur edhe më tej tensionet brenda koalicionit të tij qeverisës. Reagimi vjen pak orë para votimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të një projektrezolute të mbështetur nga SHBA, e cila përmend një rrugë të mundshme drejt pavarësisë palestineze.
Projektrezoluta, ndryshe nga versionet e mëhershme, lidhet drejtpërdrejt me planin e paqes së presidentit amerikan Donald Trump për Gazën, duke përfshirë një referencë për të ardhmen e shtetit të mundshëm palestinez. Kjo pikë ndezi zemërimin e partive ultranacionaliste izraelite, të cilat tashmë kishin kundërshtuar armëpushimin në Rripin e Gazës.
E djathta ekstreme kërcënon me rrëzim të qeverisë
Dy figurat kryesore të kampit radikal, ministrat Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, i kërkuan Netanyahut që të denoncojë publikisht çdo ide për shtetin palestinez. Ben-Gvir madje paralajmëroi se mund të tërhiqet nga koalicioni – lëvizje që automatikisht do të rrëzonte qeverinë shumë përpara zgjedhjeve të planifikuara për tetor 2026.
Netanyahu reagoi sot duke theksuar se pozicioni i tij “nuk ka ndryshuar kurrë”:
“Kundërshtimi ynë ndaj një shteti palestinez në çdo territor mbetet i pandryshuar. Gaza do të çmilitarizohet dhe Hamasi do të çarmatoset. Nuk kam nevojë për leksione nga askush,” deklaroi ai.
Në të njëjtën linjë reaguan edhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe ministri i Jashtëm Gideon Shaar, të cilët i dolën në krah kryeministrit duke kundërshtuar çdo formë shtetësie palestineze.
Plani i Trump që solli paqe dhe trazira politike
Plani 20-pikësh i Donald Trump për Gazën, i cili i dha fund luftës dyvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit, parashikon krijimin e një qeverie të përkohshme “Këshilli i Paqes”, që do të merret me rindërtimin dhe rikuperimin ekonomik të Gazës. Aty përfshihet edhe një klauzolë që lejon mundësinë e një rruge drejt vetëvendosjes palestineze – nëse kryhen reforma në Autoritetin Palestinez.
Pikërisht kjo klauzolë shkaktoi përplasjen e re politike në Izrael. Smotrich akuzoi sot Netanyahun se “ka zgjedhur heshtjen dhe turpin politik”, duke i bërë thirrje të shpallë botërisht se “një shtet palestinez nuk do të formohet kurrë”.
Megjithëse Netanyahu e kishte pranuar planin e Trump gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë në shtator, ai kishte shmangur deklaratat mbi statusin e Palestinës – derisa presioni i brendshëm e detyroi të fliste sot publikisht.
© Panorama.al












