Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të propozuara nga socialistët, nuk pranohen nga Partia Demokratike.Negociatat e gjata mes ekspertëve të të dyja partive kanë bërë që PD të lëshojë terren dhe të pranojë monitorimin e listave zgjedhore nga ana e PS-së, deri në shpalljen e listave përfundimtare të zgjedhësve. Partia Demokratike është shprehur kundër propozimit të PS-së për ndryshimet në Kod që lidhen me vendosjen pa asnjë kufizim të transparencës postzgjedhore. Gjithashtu, demokratët, dhe pse në parim dakord, nuk pranojnë të ndërhyhet në Kodin Zgjedhor sa i takon rregullimit me ligj për vendosjen e pajisjeve elektronike që do të identifikojnë kartat e identitetit. Në këtë pikë, demokratët dhe socialistët ndahen në qëndrimet e tyre duke e çuar në vështirësi parashikimin e fatit të tryezës së partive parlamentare dhe marrëveshjes për zgjedhjet e 8 majit. Por, demokratët janë treguar të gatshëm të pranojnë propozimin e socialistëve që partitë të garantojnë se do të shmangin çdo lloj përdorimi të burimeve njerëzore, financiare dhe materiale të administratës publike, të pasurisë shtetërore dhe fondeve publike në funksion të fushatës së tyre elektorale. Nga tetë kushtet e PS-së, Partia Demokratike nuk ka pranuar dy prej tyre, ato që kanë të bëjnë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Tryeza e lajmëruar për sot në mesditë, në orën 12:00, në zyrat e Kryesisë së Kuvendit, pritet të vendosë për fatin e marrëveshjes së partive. Nëse socialistët do të pranojnë të firmosin marrëveshjen e propozuar nga kreu demokrat Patozi me ndryshimet e bëra pa ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor, do të jetë një marrëveshje e plotë. Në të kundërtën, marrëveshje pritet të firmoset vetëm nga partitë e koalicionit të djathtë, “Aleanca për qytetarët”.
Ashton
Përfaqësuesja e lartë e BE-së ka reaguar mbi takimin PD-PS, që, sipas saj, mundi të realizohej pas tre vizitave të drejtorit menaxhues Miroslav Lajçak në Tiranë. “Mungesa e një kontakti të tillë të drejtpërdrejtë politik ka qenë burim i shqetësimit të madh dhe mungesës së progresit në Shqipëri”, thuhet në komunikatën për shtyp të zonjës Ashton. Ajo nënvizon rëndësinë e garantimit të zgjedhjeve të ndershme lokale, në mënyrë që të fitohet besimi i elektoratit, por dhe ai i BE-së, meqenëse këto zgjedhje përbëjnë provën e radhës. “Në bazë të takimeve të këtyre dy ditëve, përfaqësuesja e lartë bën thirrje ndaj shumicës qeverisëse dhe opozitës që të vazhdojnë dhe të intensifikojnë më shumë dialogun mes tyre, si brenda dhe jashtë Parlamentit, me qëllim që të sigurojnë përgatitjet më të mira të mundshme për këto zgjedhje lokale dhe progresin e Shqipërisë që meritojnë qytetarët e tyre”, përfundon qëndrimi i znj. Ashton mbi Shqipërinë.
Topi: Zgjedhjet jo të politizuara, vëmendje qytetarëve
Presidenti Bamir Topi u ka bërë thirrje dje sërish partive politike që të mos i politizojnë zgjedhjet lokale të 8 majit. Gjatë një takimi me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Lazlo Këver, kreu i shtetit tha se “sa më pak të politizuara të jenë këto zgjedhje, aq më shumë do t’u kushtohet vëmendje shërbimeve dhe interesave të qytetarëve”. Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, “duke bërë një përshkrim të situatës politike në vend dhe në veçanti të zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 dhe fushatës së saponisur zgjedhore, presidenti Topi vuri në dukje angazhimin e gjithanshëm të shtetit shqiptar në zhvillimin me sukses dhe sipas standardeve të duhura e demokratike të këtyre zgjedhjeve”. Nga ana e tij, z. Këver vlerësoi gjithashtu arritjet e shënuara dhe ndryshimet pozitive të Shqipërisë, si dhe e siguroi kreun e shtetit shqiptar për vazhdimësinë e mbështetjes së Hungarisë në drejtim të rrugëtimit integrues europian të vendit tonë dhe në përmbushje të aspiratës për t’u integruar në gjirin e familjes së madhe europiane.
Kërkesat që pranohen nga PD
Transparenca e listave zgjedhore; propozojmë krijimin e aksesit të nevojshëm për opozitën në nivel qendror, për të monitoruar apo pasur raportet e nevojshme për të gjitha ndryshimet e ndodhura në listat paraprake zgjedhore për çdo njësi vendore.
Partitë garantojnë se do të shmangin çdo lloj përdorimi të burimeve njerëzore, financiare dhe materiale të administratës publike, të pasurisë shtetërore dhe fondeve publike në funksion të fushatës së tyre elektorale
Kërkesat që nuk pranohen nga PD
Transparenca postelektorale; ju kërkojmë të bëjmë së bashku çdo lloj ndërhyrjeje të nevojshme ligjore e institucionale që mirëpërcakton qartë transparencën postzgjedhore.
Identifikimi i zgjedhësve; përdorimi i makinave lexuese në qendrat e votimit do të mundësonte identifikimin e plotë të zgjedhësve dhe do të shmangë përfundimisht votimet fiktive.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











