Blendi Shkëmbi është tejet i galvanizuar nga ajo që solli java e 26-të (fitore e Skënderbeut dhe barazim i Flamurtarit), ndaj, në këtë kontekst ai shpreson tashmë të shkojnë në Vlorë në ndeshjen e fundit me 4 pikë para rivalëve të tyre për titull. Ardhja e Shpëtim Duros u ka sjellë jo pak fat korçarëve, çka konfirmohet edhe nga vetë kapiteni, sipas të cilit nga 7 pikë diferencë që kishte skuadra pas largimit të trajnerit të mëparshëm, Shkëlqim Muça, janë eliminuar 6 pikë në një kohë të shkurtër dhe tashmë lufta për titull varet nga kjo diferencë. “Kemi qenë pak kohë më parë 7 pikë diferencë nga vendi i parë dhe tani jemi vetëm një. Merita në këtë rast është e lojtarëve, trajnerit Duro, donatorëve, presidentit të skuadrës, pra e të gjithëve”, – thekson mesfushori. Por, argumenti “Flamurtar” është një tjetër preokupim në distancë për rivalin e tyre. Shkëmbi tregon se ka pasur mundësinë të shohë pjesën e dytë të takimit bashkë me ekipin, duke festuar barazimin e rivalëve. “Skënderbeu është në ngjitje në këto javë, ndërsa Vlora ka bërë disa hapa falsë. Gjithsesi, duhet të ecim me këtë ritëm. Ne kërkojmë titullin, të cilin nuk di pse, por kam përshtypjen se do vendoset në ndeshjen e fundit të kampionatit. Dëshira ime ishte të shkonim në këtë qytet me 4 pikë më shumë, mirëpo e shoh si një mision të vështirë. Gjithsesi gara është e hapur, lufta e fortë, por besoj se do t’ia dalim. E rëndësishme është që Skënderbeu të marrë titullin, të tjerat mbeten pas”, përfundon kapiteni Shkëmbi.
Demtimet
Soza dhe Shkëmbi kanë dalë të dëmtuar nga transferta e Krujës. Fitorja ka mjaft kosto për të gjithë, por kur vë shpirtin në fushë, ia vlen të dalësh edhe i dëmtuar. Kështu ka ndodhur dhe me dy lojtarët më të rëndësishëm të këtij takimi, kapitenin Shkëmbi dhe argjentinasin Soza. Të dy futbollistët janë të dëmtuar dhe pritet që të rikuperohen në kohë për ndeshjen me peqinasit.











