Ka qenë tejet e vështirë të gjeje një biletë për atë takim. Gjithçka me autorizim dhe planifikim për ndërmarrje, institucione, klube, ndërmarrje, “Heronj të Punës”, të dalluar, nga 3 copë për futbollistët etj.. Nga çmimi normal, në ndeshjet ndërkombëtare ai dyfishohej, 60 lekë tribuna qendrore, 40 ajo përballë dhe 20 ato anësore C-E.
Sigurisht qarkullonin edhe ato fale. Stadiumi kombëtar ka një kapacitet minimal të lënë trashëgimi nga ndërtuesit, projektuesit italianë. Vetëm me një unazë në ato vite. Mjaft shikues qëndronin në këmbë e ulur rreth 20.000 veta. Në sektorin e autoriteteve si zakonisht ishte ajo pjesë qendrore e tribunës, e rezervuar për udhëheqësit e partisë, anëtarët e byrosë, ministra, të Komitetit Qendror etj.. Forca e rendit të angazhuara gjatë gjithë takimit kishin vendosur kufizime e kontrolle përreth e në hyrje të stadiumit. Një “privilegj” iu bë vetëm të njohurit Ali Pazari, që iu la një vend për biçikletat, të cilat i sistemonte dhe i ruante, ndërsa zona para stadiumit ishte krejtësisht e boshatisur, pasi aty do të qëndronin automjetet e zyrtarëve, ambasadave etj..
Gazetarët, fotografët, telekronistët shqiptarë e ata gjermanë u vendosën në vijat kufizuese të fushës, ndërsa e gjithë Shqipëria me veshët në valët Radio Tiranës me zërat e Ismet Bellovës e Aleko Gjergos dhe para televizorëve të markave “Dajti”, “Iliria”, “Butrinti”, duke ndjekur takimin në komentin e Skifter Këlliçit. Sfida ka qenë e vlerësuar në maksimum edhe nga UEFA që për të ndjekur takimet e dyfishta kishte sjellë Sekretarin e Përgjithshëm Hans Bangerter. Ndërsa publiciteti në stadium tejet modest, i kufizuar për kohën. Vetëm disa njoftime në kryeqytet për ndeshjen dhe të zakonshmet banera në stadium: “Sport, Punë, Kalitje, Shëndet”, “Më Shpejt, më Larg, më Lart”, “Gati për punë, gati për mbrojtje” e ato politike “Të ndërtojmë socializmin me forcat tona”, “Lavdi Marksizëm-Leninizmit” etj., që nuk kishin lidhje me ndeshjen. Dhe tabela e madhe prej dërrase në sektorin “E”, që tregonte orën dhe golat, në të cilën numrat vendoseshin me shkallë nga një person. Para takimit me altoparlant spektatorët u informuan për formacionet.
RREZIKSHMËRIA E RRUGËS
Pa ndaluar në Tiranë, skuadra gjermane nën 21 vjeç u nis direkt për në Elbasan, sepse të martën do të luante me moshatarët shqiptarë të drejtuar nga Skënder Dedja dhe Refik Resmja. Për të ndjekur sfidën, një delegacion me zyrtarë të federatës gjermane, me ta edhe Bekenbauer, udhëtuan të martën për në Elbasan. Të trembur nga rrezikshmëria që i shoqëroi përgjatë kthesave në lartësi të Qafës së Kërrabës, për kthim ata kërkuan një tjetër mundësi për të udhëtuar drejt Tiranës, duke marrë rruga e vjetër e Peqinit.
Ndeshja u mbyll 2-0 për gjermanët, duke evidentuar disa lojtarë për kombëtaret, si Pernaska apo Brajtner etj..
SEKRET FORMACIONI
Skuadra kombëtare shqiptare kishte një muaj e grumbulluar në hotel “Vollga” në Durrës, ndërsa stërvitjen, madje dy herë në ditë, e bënte në stadiumin e qytetit. Vetëm dy ditë para ndeshjes me autobuzin e Partizanit e shofer Estref Bejlerin, ajo erdhi në Tiranë duke u vendosur në hotel “Donika”, i njohur dhe tradicional për sistemimin dhe qëndrimin e sportistëve. Në prag të takimit me RF Gjermane, në mungesë të firmave të njohura “Adidas” e “Puma”, që nuk operonin në Shqipëri nga FSHF, u porositën këpucë futbolli “Adi das” në Beograd, me të cilat futbollistët luajtën, por me kushtin që pas takimit duhet t’i dorëzonin. Ndërsa fanellat ishin prodhim vendi, mbi të cilat u qep stema e Republikës. Gjatë dy ditëve nuk pati asnjë koment e deklaratë nga stafi për formacionin antigjerman, të cilin Boriçi do ta shpallte në një sallë të hotel “Donikës” disa orë para ndeshjes dhe pa praninë e medias. Edhe skuadra gjermane ishte nën presionin e shtypit dhe trajneri Shën për të evituar çdo koment e kishte mbajtur “sekret” formacionin, të cilin do ta zbulonte në Tiranë, para takimit duke deklaruar: “Ne do të nxjerrim skuadrën më të fortë”.
NDESHJA, E MËRKURË, 17 SHKURT 1971
Tirana dhe e gjithë Shqipëria u zgjua atë ditë me ankthin, emocionin që ofronte ai takim. Në çdo vend, kudo, familje, punë, vetëm për sfidën flitej. Shkollat, ndërmarrjet, administrata shtetërore në të gjithë vendin e mbyllën shpejt ditën e punës duke vrapuar për ndeshje, ai që kishte biletë në stadium, të tjerët para ekranit, në ato pak televizorë bardhezi dhe valët e radios. Berberë, lokale, vende publike, vetëm ndeshja ndiqej. Ora 14:00, në kombëtarin “Qemal Stafa”:
SHQIPËRI-RF GJERMANE 0-1 (0-1)
Shqipëria: Dinella, M. Gjika, Dhales, Kasmi, Cani, Vaso, Ceco, R. Rragami, Pano (kap) Bizi, A. Ziu. Tr. Loro Boriçi. RF Gjermane: Majer, Vogts, Shnelinger, Patzke (Bella), Veber, Bekenbauer, Grabovski, Netzer, Overath (kap), Muller, Heinkes. Tr. H. Shën. Arbitra: Beçirov, Matev, Stanes (Bull). Shikues: 15.000. Me trajnerin Loro Boriçi, ndihmësin e tij Ilia Shuke, mjek Koli Gaqi, masazhator Ali Kastrati, rezerva janë: Muhedini, Berisha, S. Hyka, Zhega, G. Xhafa, M. Leshteni. Gjermania ruan portën jugore në pjesën e parë, kohë me shi, terren i rënduar, rrëshqitës në pjesën më të madhe të lojës. Boriçi ka rezervuar surprizën Ziu, kur ai do e aktivizojë mbrojtësin si sulmues i majtë, për të ndaluar daljet në sulm të Vogts. Nga sfida e ‘67- s luajnë Dinella, Rragami Pano, Vaso, Bizi. Boriçi Nuk aktivizon Berishën, Zhegën, rikthen Kasmin, fut Mihal Gjikën, mbrojtësin energjik të Labinotit. Loja ka rivalitet në mesfushë, tejet korrekte, vetëm një zëvendësim nga gjermanët. Pas ndeshjes nuk u shkëmbyen bluzat dhe vetëm disa deklarata të trajnerëve në korridoret e stadiumit.
GERD MYLER
Ajo ka qenë e para dhe e vetmja ndeshje që goleadori i famshëm gjerman, “Topi i Artë” më 1970-ën, Gerd Myler erdhi në Shqipëri, luajti, realizoi golin e fitores për miqtë. Në prill të ‘67, në Dortmund, RFGJ-Shqipëri 6-0, katër gola janë të tij. Në “Qemal Stafa”, Myleri shënoi dy herë. Goli i parë u anulua për pozicion jashtë loje pas goditjes me kokë. I dyti, ai deçiziv i minutës ’38: Nga një faull i shkaktuar nga Ziu ndaj Grabovskit, në një distancë 20m pak diagonal Netzer ka harkuar në zonë nga porta veriore dhe Myler, i pambuluar nga një mosmarrëveshje Cani-Kasmi, ka ndaluar topin krejt i qetë, nga 10 metra largësi ka goditur me të majtën, gjysmë lartësi, në të djathtë të Dinellës, dhe rrjetë. Heshtje në stadium, një gol i papritur, krejtësisht i evitueshëm, ndonëse i realizuar me zgjuarsi, saktësi nga mjeshtri i zonës, nuhatësi më i madh në historinë botërore të shënuesve goleadorë. Bashkë me historinë rozë, te njohja e Gerd Mylerit me kamerieren e hotelit, një frekuentim që u mbajt i “fshehur” brenda mureve gati në izolim të “Dajtit”. Vetë Gerd Myler e ka treguar më vonë si një ngjarje kalimtare, por që kishte lënë gjurmë tek ai, ajo njohje pasionante me shqiptaren që nuk u shfaq asnjëherë. Dhe së fundi: për admirimin dhe simpatinë që kishin shqiptarët për futbollistët gjermanë është periudha kur shpërthen mania për t’i vënë emrin Gerd, apo Franc fëmijëve të sapolindur. Ndonëse Lagjja nuk lejonte përdorimin e emrave të huaj, por me vështirësi, pak me miqësi, nuk kanë qenë të paktë fëmijët e quajtur Gerd apo Franc në ato vite e më vonë.
REAGIMI SHTYPIT GJERMAN
Hans Bangerter, sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, pasi ndoqi dy takimet në Elbasan e Tiranë u shpreh: “Pashë dy skuadra shqiptare të zgjedhura nga dy milion banorë, pashë gjithashtu dy skuadra të RFGj-së, të zgjedhura nga dy milionë futbollistë”. “Rojter” pas ndeshjes do të shkruante: “Goli i shënuar në pjesën e parë të lojës nga Gerd Myler i siguroi fitoren 1-0 dhe i shpëtoi prestigjin përpara Shqipërisë, në një ndeshje që u zhvillua në mesfushë, por shqiptarët bënë disa sulme ku Pano, Bizi, Rragami humbën raste të mira…”. Ndërsa “Sporti Popullor” që dilte një herë në javë, të martën e 23 shkurtit publikon shkrimin me titull: “Lojë plot dinjitet e 11-shit tonë” me autorë Skënder Tupjen dhe Prokop Koretën, të cilët japin me hollësi e të detajuar kronikën e lojës dhe paraqitjen e çdo futbollisti. Si dhe stampimi i fotografive të skuadrave që u shitën me 13 lekë copa nga foto “Fatosi”, në rrugën “Konferenca Peza”, pranë bankës.
DARKË ZYRTARE, PASTAJ NË ADRIATIK
Në darkën zyrtare të shtruar në hotel “Dajti” pas ndeshjes, janë të ftuar drejtues e futbollistë të skuadrave, zyrtari i UEFA-s, arbitrat, ata bullgarë edhe italianë që drejtuan takimin e U21, Karminati, Kazarin, Zaketi. Atmosferë entuziaste, në veçanti nga futbollistët gjermanë, që nuk e fshihnin, por e shprehnin kënaqësinë për fitoren. Ata bëjnë humor me njëri-tjetrin, sidomos Majer, ndërsa Vogts, Bekenbauer janë më seriozë. Deri në orët e vona u qëndrua aty, pastaj disa prej tyre komunikuan me Pano Lulon dhe i kërkuan që të shkonin në Adriatik, pasi ishin informuar se aty kishte të huaj e bëhej jetë nate.
ZIU ME NUMRIN 12
“Një javë para ndeshjes, pasi e kishte përpunuar strategjinë, Boriçi më thërret në dhomën e tij në ‘Vollga’ në Durrës, të mbushur me duhan, letra, skema, më thotë se kam një ide “që ti do të luash në një rol tjetër”, por nuk ma tregoi. Në seancat që vazhduan më aktivizoi në sulm, duke ngjallur pak dyshime tek lojtarët e skuadrës. Boriçi transmetonte optimizëm, ishte njohës i shkëlqyer i vendosjeve në fushë, nga të vetmit që dinte të manipulonte me lëvizje taktike si askush tjetër.
Ajo që më pas u kuptua ishte se Boriçi ndaj Gjermanisë kërkonte të aktivizonte lojtarë me tipare mbrojtësesulmuese dhe duke ditur se me sulm nuk i mundte kundërshtarët, kishte ideuar e projektuar një rreshtim efikas dhe surprizë për të gjithë. Ishte një gjetje inteligjente e Boriçit, duke tentuar të ndalonte daljet në sulm të mbrojtësit Vogts, të ulte rendimentin e asaj linje ku manovronin Grabovski e Bekenbauer, tre më të mirët e botës në atë krah. Mua më vendosi në atë sektor si sulmues i majtë, i maskuar, por me detyra mbrojtëse. Bizit të luante me Bekenebuerin duke ndihmuar edhe sulmin me cilësitë që kishte. Ndërsa Canin, i aftë në markime personale, e ngarkoi të mbulonte Gerd Mylerin. Kur dolëm në fushë për nxehmje pati një reagim nga spektatorët e befasuar, që u amplifikua më shumë kur nga qendra e zërit u dhanë formacionet. U mendua dhe pritej që Boriçi të kritikohej për këtë vendosje, por pas ndeshjes u përgëzua, madje edhe sot konsiderohet një ndër lëvizjet e veçanta në historinë e kombëtares.
Një zgjidhje strategjiko-taktike, por edhe politiko- sportive, për të ruajtur ekuilibrin e rivalitetit Partizani-17 Nëntor-Dinamo, nuk aktivizoi Berishën, por Dhales e Kasmin të 17 Nëntorit, nga Partizani Canin, Ziun e Panon dhe Cecon e Dinamos. Kujtoj duelet Overat-Rragami, Gjika-Hejnkes, Vaso-Netzer, PanoShnelinger. 90 minuta të luftuara deri në fund dhe Pano, unë, kemi pasur raste për të shënuar. Përjashto golin, takimi mund të kishte tjetër përfundim. Më vjen keq që nga ajo ndeshje e transmetuar nga TVSH kanë mbetur vetëm tri minuta, kaseta e plotë është zhdukur”. Një tjetër detaj që regjistrohet në atë takim, me protagonist sërish, mbrojtësin Astrit Ziu, kur ai do të luajë me numrin 12-të. Këtë e konfirmon fotografia që një fotografi gjerman, që e ka bërë nga mbrapa ekipin shqiptar. Ndonëse rregullorja nuk e lejonte, përcaktonte numrat nga 1-12, zyrtarët e ndeshjes, përfshirë arbitrat, të deleguarin e UEFA-s, kanë bërë një përjashtim, një rast krejt u rrallë për kohën, për një ndeshje aq të rëndësishme ndërkombëtare. Vetë Ziu tregon: “Para takimit në dhomat e zhveshjes kur u shpërndanë fanellat, ajo me numrin 9 mungonte. Atë me 4 e mori Kasmi si mbrojtës i majtë. Bizi që zakonisht luante me numrin 9, u detyrua të marrë fanellën me numër 11. Para një situate të tillë u bisedua dhe mua më dhanë fanellën me numrin 12, që ishte numri i portierit rezervë, Muhedinit. Edhe sot e kam të paqartë si mund të mungonte një fanellë e ekipit kombëtar në një takim të tillë dhe si u veprua që më lejuan. Ndaj Gjermanisë kam luajtur me numrin 12-të”.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












