Rebelët libianë thanë se bombardimet e NATO-s i kanë ndihmuar ata që të shtyjnë sërish forcat e Gedafit larg nga Benghazi, pas raportimeve të para se ata kishin humbur terren dhe se trupat e kolonelit libian po i afroheshin “fortesës” së opozitës.Katër bombardime kanë ndaluar përparësinë e forcave qeveritare të Gedafit, sipas komandantit libian të rebelëve, Hamid Hasi. Lideri i NATO-s për operacionet tha se bombardimet kanë shkatërruar 11 tanke afër Ajdabiyas dhe 14 të tjerë afër Misratës, të vetmet qytete që rebelët kanë ende në duar në gjysmën perëndimore të Libisë. Hasi tha për AP-në se forcat e Gedafit janë larguar nga porta perëndimore e Ajdabiyas të dielën pasdite duke u shturë rreth 60 kilometra pas. Megjithatë bomba sporadike të hedhura prej tyre mund të dëgjohen ende në perëndim të Ajdabiyas. Fronti kryesor i luftimeve në Libi është ai i një rruge që përshkon brigjet bregdetare mesdhetare të vendit, që çon drejt kryeqytetit të opozitës, Benghazit, në gjysmën lindore të vendit dhe pikës kryesore të perëndimit të vendit, Tripolin, kryeqytetin ku po qëndron Gedafi. Forcat e Gedafit duan të marrin sa më shumë nga territori që ka rënë në duart e opozitës, e cila kërkon rrëzimin e Gedafit dhe regjimit të tij, pas më shumë se 4 dekadave në pushtet. Ofensiva më e madhe po kryhet në Ajdabiya. Nëse forcat e Gedafit arrijnë ta marrin këtë qytet, atëherë ata do ta kenë të lirë rrugën drejt Benghazit, qyteti i dytë më i madh në Libi. Rebelët kanë ofruar armëpushim me kushte të cilin Gedafi e ka refuzuar. Në disa rate, ata kanë kritikuar qëndrimin “pasiv” të NATO-s dhe sulmet e saj tri herë edhe kundër rebelëve, duke i ngatërruara ata me forcat e Gedafit. Ata e kanë kritikuar NATO-n edhe për përgjigje të ngadaltë të sulmeve të forcave të Gedafit kundër tyre. Ndërkohë zëvendësministri i Jashtëm i Libisë, Khaled Kaaim, tha se dy helikopterë të rebelëve janë rrëzuar në Brega nga forcat besnike të Gedafit, pasi kishin hyrë në zonën e ndalim-fluturimit. Kreu i Parlamentit libian tha se në përfundim të krizës, libianëve do t’u ofrohet një draft-kushtetutë.
23 persona
janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, civilë rebelë gjatë luftimeve të fundjavës në Libi. Sipas burimeve mjekësore në Benghazi, viktimat janë regjistruar në dy qytete, Misrata dhe Ajidabiya.
Mbërrin misioni Afrikan
Një mision i Unionit Afrikan mbërriti dje në Libi në përpjekje për të negociuar një armëpushim mes forcave rebele dhe atyre besnike të Muamar Gedafit. Lider të vendeve afrikane kanë udhëtuar dje nga Mauritania drejt Tripolit ku u takuan me kolonelin libian, Gedafi dhe anëtarë të tjerë besnikë të kabinetit të tij. Ata më pas do të vizitojnë edhe Benghazin për të takuar lider të rebelëve e për të diskutuar mbi një marrëveshje armëpushimi. Rebelëve dhe liderëve opozitarë nuk iu ka pëlqyer ideja, pasi ata konsiderojnë se këta lider janë miq të kolonel Gedafit dhe marrëveshja nuk mund të jetë në favor të tyre. Unioni Afrikan në këtë mision është përfaqësues nga pesë vende. Misioni i tyre kërkon “fund të menjëhershëm” të luftimeve, “lejimin e kamionëve me ndihma humanitare” dhe “dialog mes palëve në Libi”. Sipas AFP-së Presidenti i Afrikës së Jugut, Jakob Zuma, dhe Presidentët, Mohamed Ould Abdel Aziz i Mauritanias, Amadou Toumani Toure i Malit dhe Denis Sasou Ngueso i Republikës së Kongos, bashkë me ministrin e Jashtëm të Ugandës, Henri Oriem Okelo, kanë udhëtuar në avionë të veçantë . Ata kanë marrë leje nga NATO për të fluturuar mbi tritoli e për të takuar Gedafin.
© Panorama.al











