Naço: Objektivi ynë, mbrojtja e konsumatorit

Apr 2, 2011 | 11:25

Mbrojtja e konsumatorit përmes zbatimit të standardeve europiane në funksionimin e tregjeve, garantimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve do të jetë fokusi i projektit të binjakëzimit që do të zbatohet nga Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit. Ky projekt, që vjen me mbështetjen e Bashkimit Europian me një vlerë 1 milionë euro, është përshëndetur gjatë konferencës së djeshme nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço. Në fjalën e tij, ministri theksoi se ky projekt është shembulli më i mirë i mbështetjes së vazhdueshme që Bashkimi Europian i jep Shqipërisë në përballimin e sfidave të integrimit europian dhe në zbatimin e reformave të nevojshme për përmbushjen e kërkesave të BE-së. “Asistenca e BE-së, nëpërmjet këtij projekti do të jetë një mbështetje e rëndësishme për ngritjen e nivelit teknik, përafrimin e plotë të kuadrit ligjor në linjë me standardet dhe praktikat europiane, forcimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe sigurimin e njohjes ndërkombëtare të matjeve të realizuara në vendin tonë”, tha Naço. I pranishëm në aktivitet ishte edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi. Në fjalën e tij ai vlerësoi se projekti synon forcimin e një prej drejtorive më të rëndësishme të orientuara, në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit.

© Panorama.al

Te lidhura