Miratohet amnistia, kush përfiton

Apr 22, 2011 | 9:47

Edhe pse të për-gjysmuar, Shqipëria do të ketë mundësinë të aplikojë për herë të parë amnistinë fiskale. Kuvendi miratoi dje me 74 vota, ligjin e faljes fiskale, një derivat pa 3 nene i ligjit të amnistisë, vetëm me votat e pozitës.Opozita, edhe pse nuk mori pjesë në asnjë nga seancat në komisionet parlamentare gjatë diskutimit të amnistisë, nuk pranoi të ishte pjesë e këtij ligji, duke akuzuar se nuk pati kohë për diskutime. Akuzës se ligji nuk ishte i saktë dhe po përdorej politikisht, opozita iu përgjigj sërish politikisht, duke abstenuar dhe jo duke votuar kundër. Sidoqoftë, pas 20 vitesh ekonomi tregu, të gjithë do të kenë mundësinë të deklarojnë paratë e tyre të fshehura nga taksat. Enigma ngelet te nenet që donin votën e opozitës. Dje u miratua falja e detyrimeve, pra çdo person biznesmen mund të shkojë të deklarojë në bankë se një shumë të caktuar parash e ka fituar duke iu shmangur taksave. Në variantin e amnistisë fiskale parashikohej që vepra penale e evazionit të fshihej në të tilla raste. Në variantin e miratuar dje, falen detyrimet, por neni që fshin veprën penale vazhdon të funksionojë. Sipas ligjit, në rast se një person depoziton mbi 1,5 milionë lekë në bankë, duhet të deklarojë origjinën. Në rastin e faljes, të miratuar nga Kuvendi, personi do të deklarojë se i ka fituar nga biznesi dhe shmangia e detyrimeve fiskale. Në këtë rast, vepra penale e fshehjes së detyrimeve qëndron dhe prokurori ka të drejtë të fillojë hetimin. Një grup tjetër juristësh flet për falje, pra në rast se janë falur detyrimet, atëherë nuk mund të ketë ndjekje dhe hetim. Heqja e neneve që kishin lidhje me Kodin Penal dhe donin 84 vota, e ktheu amnistinë në falje dhe sigurisht që ka lënë dyshime të mëdha për efikasitetin e saj.
Çfarë po falet
Nga gjobat se nuk keni prerë biletën për në autobus, deri te detyrimet e një biznesi VIP prej miliona eurosh. Ligji parashikon faljen më të gjerë të bërë ndonjëherë nga administrata shtetërore. Të gjitha detyrimet, deri më 31 dhjetor 2010, për të gjithë individët, do të zerohen. Këtu përfshihen edhe gjobat e makinave për shkelje rrugore, apo gjobat për moskolaudim apo të tjerë të këtij lloji. Në të njëjtin ligj është përfshirë edhe falja e faturave të papaguara të energjisë elektrike që qeveria miratoi më herët, në një projektligj më vete, që kishte një faturë 380 milionë dollarë. Kësaj faljeje i bashkëngjiten edhe të gjitha faturat e papaguara ndaj ujësjellësve deri në momentin që këta të fundit u kanë kaluar vendorëve. Tarifat, që përbënin edhe pjesën më të diskutuar të kësaj amnistie, mbeten të pandryshuara për individët që do të deklarojnë paratë e fshehura, të cilat legalizohen nëse paguhet 3 për qind e vlerës që legalizohet. Ndërkaq, rivlerësimi i një pasurie të paluajtshme mbeti sërish te vlera 1 për qind. Biznesit iu miratua kërkesa për tarifa më të ulëta për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe të makinerive, ku përqindja e legalizimit u ul nga 6 dhe 7 për qind, në 5 dhe 3 për qind. Jashtë amnistisë edhe njëherë mbetën ato që u deklaruan qysh ditën e parë të diskutimit të kësaj çështjeje, siç janë paratë nga krimi i organizuar dhe pushtetarët.
“Kërcënimi” i Bodes
Pas deklaratave të FMN-së dhe Bankës Botërore se amnistia fiskale mbart një risk moral dhe krijimit të një kulture ku qytetarët nuk paguajnë taksa, ministri i Financave ka lëshuar paralajmërimin për qytetarët dhe bizneset. “Ju deklaroj dhe konfirmoj se kjo është e vetmja amnisti që do të ndërmerret. Amnistia nuk do të përsëritet më. Ky është një mesazh që dua ta përcjell edhe njëherë nga kjo sallë për të gjithë qytetaret shqiptarë”, tha Bode. Amnistinë ai e cilësoi si vijën ndarëse mes 20 viteve tranzicion e informalitet dhe fillimit të një epoke “të zbatimit me dorë të hekurt të ligjit”. Bode u shpreh se menjëherë pas përfundimit të amnistisë, biznesi dhe qytetarët duhet ta respektojnë dhe të kryejnë të gjitha detyrimet që iu lindin, në të kundërt, do të përballen me penalitete të rënda. “Kjo amnisti shoqërohet me një sërë ndryshimesh në ligjin e procedurave tatimore, në të cilin janë parashikuar një sërë masash të rënda ndëshkuese e penalitete të larta për të gjithë moszbatuesit e legjislacionit tatimor”, tha kreu i Financave.

Çfarë përfitohet nga falja

Për individët

1.    Çdo qytetari i falen të gjitha detyrimet e papaguara deri në datën 31 dhjetor 2010.
2.    Mund të legalizojnë çdo shumë të mjeteve monetare të padeklaruara kundrejt pagimit të tarifës prej 3 përqindësh të vlerës së legalizuar.
3.    Çdo shtetas ka të drejtë të rivlerësojë me vlerën e tregut pasuritë e paluajtshme që zotëron kundrejt pagimit të një tarife prej një përqindësh të diferencës së vlerave, nga 10 për qind që është sot.

Biznesi i vogël

1.    Përfiton të drejtën të legalizojë çdo shumë monetare të padeklaruar kundrejt pagimit të tarifës prej 3 përqindësh.
2.    Të vetëpunësuarve në bujqësi u falen kontributet e papaguara të sigurimeve shoqërore e shëndetësore deri në fund të vitit 2008. Atyre u falen kontributet e papaguara për vitet 2009-2010, me kusht që të paguajnë detyrimet e vitit 2011 brenda afatit ligjor.
3.    Të gjithë tatimpaguesve të tjerë që nuk kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për të punësuarit e tyre për periudhën deri 31 dhjetor 2010, u falen gjobat dhe kamatëvonesat që lidhen me këto detyrime.
4.    Të gjithë tatimpaguesve u falen gjobat e papaguara për mosinstalimin e pajisjeve fiskale, me kusht që t’i kenë të instaluara ato brenda datës 28 shkurt 2011.

Biznesi i madh

1.    Të gjithë personave juridikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, u falen detyrimet tatimore të papaguara deri më 31 dhjetor 2008. Detyrimet për vitin 2009 u falen nëse paguajnë 30 për qind të principalit, ndërsa për vitin 2010 u falen nëse paguajnë 50 për qind të principalit.
2.    Personat juridikë kanë të drejtën në rivlerësojnë me vlerën e tregut pasuritë e paluajtshme dhe makineritë kundrejt tarifave 5 për qind dhe 3 për qind.
3.    Diferenca që rezulton nga rivlerësimi do të përfshihet në shpenzimet vjetore në formën e amortizimit.
4.    Të gjitha subjektet juridike që nuk kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për të punësuarit e tyre për periudhën deri më 31 dhjetor 2010 u falen gjobat dhe kamatëvonesat që lidhen me këto detyrime.

Në amnisti përfshihen edhe:

1.    Detyrimet e qytetarëve për taksën e qarkullimit vjetor, taksën e regjistrimit dhe gjobat e vëna për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor dhe kamatëvonesat e lidhura me to deri në datën 31 dhjetor 2010.
2.    Detyrimet e qytetarëve për mospagimin e faturave të furnizimit me ujë të pijshëm deri në datën e transferimit të ujësjellësve në administrim të pushtetit vendor.
3.    Detyrimet e një kategorie personash të përcaktuar në projektligj për faturat e papaguara të energjisë elektrike.
4.    Detyrimet e tatimpaguesve që rrjedhin nga mospagimi i tarifave për arka regjistruese, certifikata tatimore, shtypshkrime, fatura tatimore, pulla akcize apo bileta transporti.

 

MIMI Kodheli: Amnistia, pazar elektoral
Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, e quajti amnistinë fiskale një pazar të pastër elektoral. Gjatë seancës parlamentare, Kodheli shpalosi këndvështrimin e opozitës për këtë nismë, duke akuzuar se me këtë amnisti qeveria po mundohet të shlyejë edhe borxhet e saj. “Opozita kërkon një amnisti reale, dhe jo një amnisti sa populiste, aq dhe elektorale. Ndërkaq, ky projektligj futet për diskutim dhe miratim në Parlament vetëm dy javë përpara zgjedhjeve lokale, ndaj qëllimi i tij nuk mund të jetë tjetër veç përfitimit elektoral të padrejtë. Ne kërkojmë një amnisti dobiprurëse për ekonominë, që zvogëlon informalitetin, rrit të ardhurat dhe nxit punësimin, ndërkohë që kjo e ashtuquajtur amnisti fiskale që kemi sot përpara është një tentativë e mjerë për të përmirësuar financat publike në krizë të kësaj qeverie”, tha deputetja e PS-së.

Berisha, opozitës: NUK jua legalizoj miliardat
Kreu i qeverisë ka komentuar dje vendimin e opozitës për të mos votuar amnistinë fiskale. “Shpreh vlerësimin për deklaratën e ish-kryeministrit Majko, i cili shprehet se është i gatshëm të mbështesë faljen për shtresat në nevojë. Nga ana tjetër, kreu i PS-së ka urdhëruar votimin kundër amnistisë, sepse këtë ia diktoi kupola që udhëheq. Pikërisht se u përjashtuan nga kjo amnisti krerët e sh.p.k-së në krye të Partisë Socialiste, u adaptua ky qëndrim armiqësor ndaj amnistisë”, tha Berisha. Ndërkaq ai theksoi se dy kategori parash nuk do të amnistohen kurrë: ato që vijnë nga trafiqet dhe droga dhe ato që krijuara duke përdorur politikën. “Unë e kuptoj që ju jeni parti miliarderësh, por unë ju garantoj se paratë tuaja nuk do të amnistohen sa të jetë kjo qeveri në pushtet”, tha ai.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura