Milani interesohet për Lorik Canën

Apr 5, 2011 | 12:35

Milani ka shprehur interesim për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Lorik Canën. Lajmi është bërë i ditur të hënën nga uebfaqja italiane “Itasportpress.it”, faqe kjo e profilizuar në lajmet për transferimet e futbollit. Sipas saj, gjigantët italianë i kanë “matur pulsin” klubit turk, Gallatasarait, për çmimin e 27-vjeçarit dhe si përgjigje kanë marrë një çmim shumë të kripur: “Kartoni i Canës vlen 10 milionë euro”. Pak ditë më parë, interesim për Canën 27-vjeçar shprehu edhe klubi tjetër italian, Lacio. Vetë drejtori sportiv i bardhekaltërve, Igli Tare, një mik i ngushtë i Canës, pohoi për “Panorama Sport” se Cana është një nga objektivat e klubit roman. Milani dhe Lacio po studiojnë mundësitë për 27-vjeçarin, ish-lojtarin e Sandërlendit, i cili me klubin turk ka nënshkruar verën e vitit të kaluar një marrëveshje deri në qershorin e vitit 2014. Kartoni i Canës, që këtë sezon ka luajtur 21 ndeshje dhe ka shënuar një gol në kampionatin turk, vlerësohet në gjashtë milionë euro, por turqit kanë rritur në 10 milionë euro çmimin ndaj Milanit, duke parë potencialin financiar të italianëve. Një tjetër lojtar që Milani po kërkon me ngulm, është edhe Samir Nasri, mesfushori i talentuar i Arsenalit. Francezi, dikur shok skuadre me Canën te Marseja, pëlqehet shumë nga trajneri Alegri.

Vangjeli realizon ëndrrën, mban shiritin

Kristi Vangjeli ka mbajtur në ndeshjen e së dielës shiritin e kapitenit të Arisit. Kjo ndodh për herë të parë në karrierën e tij 12-vjeçare me skuadrën selanikase. Ishte minuta e 71-të e sfidës kundër Asteras Tripolis, që Arisi e fitoi 2-1 në transfertë, kur trajneri Saqis Ciolis gradoi kapiten lojtarin shqiptar, pasi spanjolli Koke, i cili mban shiritin te ekipi selanikas u zëvendësua. Fakti që ka qenë kapiten i Arisit për 19 minuta, e ka emocionuar shumë mbrojtësin korçar, i cili në një prononcim për mediat greke është shprehur se realizoi një ëndërr të tij.

© Panorama.al

Te lidhura