Milani do një nder nga Erjon Bogdani

Apr 25, 2011 | 11:48

Titulli tashmë është në duart e Milanit. Kur na ndajnë dhe katër ndeshje nga përfundimi i kampionatit, kuqezinjtë kanë tetë pikë avantazh ndaj ndjekëses më të afërt, Interit. Skuadrës së Milanit do t’i mjaftonin të grumbullonte vetëm katër pikë, për të siguruar matematikisht titullin. Si rrjedhojë, skuadra e Alegrit mund të festojë që të dielën kundër Bolonjës në “San Siro”, në rast se Interi minimalisht do të barazonte në Çezena. Faktikisht, Milanit do t’i shkonte përshtat edhe një barazim me Bolonjën, por në këtë pikë i duhet të shpresojë që “kushërinjtë” zikaltër të humbasin përballë skuadrës së Erjon Bogdanit në “Manuci” dhe Napoli të mos fitojë në “San Paolo” kundër Xhenoas. Avantazhi i djemve të Alegrit, përtej numrave, është se do të jenë në dijeni të rezultatit të ndeshjes Çezena-Inter, përpara se të luajnë me Bolonjën, meqenëse të dy konkurrentet direkte në luftën për titullin do të luajnë të shtunën, ndërsa kuqezinjtë do të zbresin në fushë të dielën. Pra me pak fjalë, titulli numër 18 i historisë së klubit kuqezi mund të vijë pikërisht gjatë ditës së festës së punëtorëve. Milani ndodhet në këto pozita falë djersës së vet dhe sukseseve të mëdha që ka siguruar në transfertë. Deri tani, kryesuesit e Serisë A kanë koleksionuar larg stadiumit “San Siro” plot 37 nga 74 pikët, saktësisht gjysmën e tyre. Këto shifra janë fryt i 11 fitoreve, 4 barazimeve dhe 2 humbjeve, në 17 transferta. Të njëjtat pikë kuqezinjtë kanë arritur t’i grumbullojnë edhe në “San Siro”. Gjithsesi, në rast fitoreje si të kuqezinjve dhe zikaltërve, gjithçka shtyhet për të dielën tjetër, kur Milani do të udhëtojë drejt stadiumit “Olimpiko” të Romës, për të luajtur kundër verdhekuqve. Këto janë po i njëjti kundërshtar që përballë tyre skuadra e “djallit” ka fituar titullin e fundit gjatë sezonit 2003-2004.

© Panorama.al

Te lidhura