Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa tha se qeveria duhet ta shohë me “syzet” e realitetit protestën e mijëra qytetarëve, të cilët po mblidhen çdo ditë në shesh duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga qeveria.
Ajo iu drejtua deputetëve socialistë duke iu thënë se nëse mendojnë se mandatet e tyre i kanë marrë me votat e qytetarëve dhe jo nga paratë e krimit, duhet t’i përgjigjen kërkesave të tyre që janë artikuluar në shesh.
“Përgjigjuni realitetit. Realiteti kërkon dorëheqjen e Edi Ramës, kërkon një qeveri tranzitore, një parlament që miraton shfuqizimin e ligjeve kundër interesit publik, një parlament që nuk i anatemon protestuesit, nuk i numëron me syzet e miopit, por me syzet e realitetit.
Qindra mijëra në shesh që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe shfuqizimin e atyre ligjeve që e kanë trajtuar Shqipërinë si një plaçkë. Nëse besoni se mandatet tuaja vijnë nga votat e qytetarëve, përgjigjuni atyre. Nëse besoni se mandatet tuaja vijnë nga vullneti i Edi Ramës dhe paratë e oligarkëve dhe kriminelëve, mos iu përgjigjeni, por do t’u përgjigjen qytetarëve juve.
Do ta merrni përgjigjen siç po e merrni, siç po e shikoni çdo ditë më të vendosur, ë të qartë në objektivat e tyre, për të kërkuar se kjo qeveri, kjo sjellje harbute duke shkelur kushtetutën dhe interesin publik të ndalojë.”, u shpreh deputetja.
© Panorama.al











