Meta: PS pengoi heqjen e vizave

Apr 5, 2011 | 10:35

Koalicioni “Aleanca për qytetarin” prezantoi kandidatët për Bashkinë e Kuçovës dhe Urës Vajgurore. Gjatë këtyre takimeve kanë qenë të pranishëm kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe Nasip Naço, Genc Pollo e Lefter Maliqi. Gjatë fjalës së tij Meta u shpreh se “ky koalicion, në vitin e parë, me një punë të jashtëzakonshme, arriti të heqë vizat për të gjithë kuçovarët dhe të gjithë shqiptarët.  Edhe pse ju e dini shumë mirë që sa shumë pengesa iu vunë nga lidershipi i Partisë Socialiste këtij procesi madhor nga i cili nuk përfituan vetëm ata që përkrahin këtë koalicion, por përfituan të gjithë shqiptarët, pa asnjë dallim politik. Jam i bindur se nga Çeku si kryetar i ri i Bashkisë do të përfitojë i gjithë komuniteti i Kuçovës, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kuçovës”. Meta vlerësoi në të njëjtën kohë faktin që drejtuesit e PD-së në Kuçovë po mbështesin propozimin e LSI-së. “Me këtë rast, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të falënderoja përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kuçovës, Fadil Mara, Rustem Beramaj e shumë të tjerë, për mirëkuptimin që kanë treguar për të mbështetur këtë kandidaturë, e cila tani është e të gjithëve dhe jam i bindur që nuk është vetëm e forcave që përbejnë Aleancën për Qytetarin, por tani Çeku është për kandidaturën e çdo qytetari të Kuçovës që kërkon ndryshim”, tha Meta.

© Panorama.al

Te lidhura