Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka prezantuar dje në Korçë kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Andrea Mano. “Projekti i koalicionit përfaqësohet nga zoti Andrea Mano dhe ne i shprehim mbështetjen më të plotë, pasi projekti i tij ka në plan të parë ruajtjen e Korçës, duke zhvilluar qytetin, por pa cënuar vlerat muzeale e turistike, siç ka bërë projekti i betonizimit që do të dështojë më 8 maj”, tha Meta. Duke shprehur bindjen se ky koalicion do të korrë fitore bindëse në këtë qytet, ai shtoi: “Më 8 maj Korça do të votojë për këtë forcë politike, e cila ka kontribuar dhe kontribuon gjithnjë për integrimin e Shqipërisë, dhe jo për izolimin e saj. Jam i bindur se Korça në 8 maj do të votojë për përfaqësuesit e LSI-së në Këshillin Bashkiak”. Sipas tij, me votën për maxhorancën, qytetarët nuk do të ndihen të ndarë në llogore politike, pasi deri më sot Bashkia e Korçës është përdorur politikisht. “Punësimi është dhe do të jetë objektivi ynë madhor i përditshëm dhe jam i bindur se projektet e Andrea Manos dhe kryebashkiakëve të tjerë të “Aleancës për Qytetarin”, të angazhuar për të luftuar papunësinë në qytetet e tyre, sjellin një model të ri të qeverisjes vendore dhe të përgjegjësisë sociale të atyre, që votojnë janë qytetarët. Sepse, deri tani, koncepti për kryebashkiakët ka qenë vetëm për të firmosur leje ndërtimi, apo për të dhënë tendera të ndryshëm”, tha Meta.











