
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, hapi dje fushatën elektorale në qytetin e Fierit, ku prezantoi kandidatin e Aleancës për qytetarin për këtë bashki, Ilir Bele. Në të njëjtën kohë, në aktivitetin e djeshëm u prezantuan edhe kandidatët e propozuar nga kjo forcë politike për kryetarë komunash. Në fjalën e tij, Meta u shpreh se punësimi do të jetë prioritet i këtij koalicioni. “Gjithnjë e më shumë qytetarët po binden se është koha për të parë punët, për të parë veprat dhe jo për të mbetur peng i demagogjive të së kaluarës. Është një kënaqësi e veçantë që kryetarët e bashkive, që nga Lulzim Basha në Tiranë, deri këtu te Ilir Bele në Fier, por edhe në qytete të tjera, sikurse dëgjuam kandidatin tonë në Pogradec, z. Luan Topçiu. Për herë të parë në një fushatë vendore, kryetarët e bashkive angazhohen për punësimin dhe kjo është mjaft e rëndësishme, sepse në të kaluarën ka dominuar ideja se kryetari i bashkisë duhet të punësojë dhe çpunësojë vetëm ata që varen nga administrata që ai drejton, ndërkohë që ky koncept i ri i cili po vjen në politikën vendore, tregon qartë se kemi të bëjmë me njerëz me vizion të ri”, u shpreh Meta. Sipas tij “ky do të jetë prioriteti ynë deri në fund të këtij mandati, pasi çështja e punësimit është më e rëndësishme për mirëqenin e çdo individi, familjeje dhe gjithë komunitetit”. Duke u ndalur në fushatën për qytetin e Fierit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se “Nuk duhet të punojë më Fieri për kryetarin e Bashkisë, por duhet të punojë kryetari i ardhshëm i Bashkisë për Fierin”.











