Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ishte dje në Pogradec ku së bashku me deputetin e PD-së, Fatbardh Kadilli, kërkuan votat për kandidatin e koalicionit të djathtë Luan Topçiu. “Pogradeci meriton një të ardhme tjetër, meriton një kryetar bashkie, i cili ta shohë këtë qytet si qytetin e tij dhe Luan Topçiu është një djalë i denjë i Pogradecit. Pogradeci ka nevojë për një qytetar të parë, i cili nuk e sheh vetën si pronar të qytetit, por si shërbëtorin e parë të qytetarëve të tij, duke u kujdesur që ata të gjithë së bashku të ecin përpara në një të ardhme më të mirë”, u shpreh Meta. Sipas tij, “Pogradeci ka nevojë për një kryetar bashkie, i cili në radhë të parë të vendosë interesat e qytetarëve, dhe jo ato të tij sikurse ka ndodhur deri tani. Për një kryebashkiak i cili të ketë në rendin e parë luftën kundër papunësisë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe këto janë pjesë e programit të Luan Topçiut dhe në mbështetjen që ai do të sigurojë nga qeveria dhe të gjithë partnerët e tjerë që do të mbështesin projektet në këtë drejtim”.











