Mesazhet me reklama në celular, gjobë kompanive

Apr 27, 2011 | 11:09

Të gjitha ato subjekte që përdorin të dhënat e qytetarëve për të dërguar mesazhe reklamimi të paautorizuara, bëhen automatikisht shkelëse të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.Në të tilla raste, qytetarët duhet të denoncojnë shkeljen e privatësisë së tyre duke çuar kështu në gjobitje e subjekteve që nuk kanë marrë parasysh ligjin. Komisionerja Flora Çabej, nga Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, u shpreh dje se gjatë një takimi të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, se ka plot raste ku është shkelur kjo e drejtë, por qytetarët nuk kanë reaguar. Por cilat janë rastet që hasen rëndom, ku operatorë të ndryshëm ekonomikë koleksionojnë të dhënat e klientëve të tyre dhe japin aksesin mbi këto të dhëna në shkëmbim të përfitimeve për operatorë të tjerë. Një rast i tillë mund të jenë bankat, ku klientët lënë gjithë të dhënat personale. Një shembull tjetër mund të jenë qendrat tregtare që mbledhin të dhëna përmes kartës së klientit dhe mund t’i transferojnë këto të dhëna. Një tjetër rast mund të jetë ajo e qendrave shëndetësore, të cilat seleksionojnë informacion që konsiderohet si sensitiv. Por si sanksionohet kontrolli i subjekteve që koleksionojnë të dhëna në ligj. “Ligji u aprovua në vitin 2008, kur filloi puna dhe Autoriteti, i cili raporton një herë në vit në Parlament dhe varet vetëm nga Parlamenti. Ushtron kontroll dhe inspektim mbi gjithë ato organizata që mbledhin informacion privat dhe publik. Të gjithë ata që mendojnë se iu është shkelur e drejta e privatësisë dhe informacioni personal i tyre, ka kaluar nga një vend ku është dhënë me mirëbesim tek një tjetër që e përdor për qëllime komerci apo dhe mediatike, atëherë duhet t’i drejtohen këtij autoriteti”, tha Çabej.
Një problem i madh që ka hasur Komisioni në punën e tij lidhet me operatorët në internet dhe telekomunikacion, sepse marrëdhëniet për këtë fushë duhet të jenë për fëmijë mbi 14 vjeç, por ka edhe shumë fëmijë që kanë adresa e-mail-i apo Facebook-u dhe operatorëve u rekomandohet të jenë të kujdesshëm me informacionin. Çabej shpjegoi se Autoriteti, që është institucioni që merret me kontrollon e subjekteve që koleksionojnë të dhëna, aplikon gjoba për ata që nuk raportojnë këtë aktivitet. Gjobat në vendin tonë për këtë kategori janë shumë më të ulëta sesa ato që aplikohen jashtë shtetit. “Të gjithë ata që kontrollojnë të dhëna personale, punëdhënës apo institucione e organizata që kanë të dhëna personale, duhet t’i deklarojnë menjëherë tek ky Autoritet se çfarë të dhënash kanë, pse i kanë mbledhur ato, kur do t’i asgjësojnë, pse do t’i përdorin. Të gjithë këtë informacion duhet t’ia japin Autoritetit dhe nëse nuk e bëjnë, dënohen me ligj dhe gjobiten nga 10 mijë-50 mijë lekë. Vende si Anglia e kanë 500 000 paund këtë gjobë nëse shkel ligjin”, tha komisionerja.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura