Merita, terapi me pikturë

Apr 17, 2011 | 12:01

Piktorja kosovare, Merita Jaha, humbi dy dajallarë në luftën e Kosovës. Ishte gati moshatare me ta. Një javë më parë u gjetën vetëm eshtrat e njërit. Si homazh për ta, por edhe për të gjitha nënat shqiptare që kanë humbur bijtë, piktorja hapi në Tiranë ekspozitën “Ankth”. Pas 12 vitesh, ajo thotë se piktura e ka ndihmuar të kalojë traumat e asaj kohe dhe ndihmon edhe të tjerët për ta bërë këtë

Merita ka sy deti të kthjellët. Rrëzëllen e tëra dhe kush e takon për së pari, mendon se nuk mund të ketë asgjë në botë që ta turbullojë atë kaltërsi, apo atë buzëqeshje të madhe, që ajo të dhuron që në shtrëngimin e duarve. Por edhe ajo i ka ca ankthe. Nga ato që mundohesh t’i fshehësh, t’i mbysësh thellë, por që në një moment të duket se po të djegin së brendshmi. Merita Jaha, piktorja e re kosovare, ndodhet në Tiranë me një ekspozitë pikture, të cilën e hapi në Muzeun Historik Kombëtar. E ka titulluar “Ankth”. Në tablotë e saj femra paraqitet nudo, e kërrusur, por jo e thyer. “Është ankthi i nënës kosovare, por edhe i nënës shqiptare në përgjithësi. Është ankthi i saj për bijtë e humbur”, thotë Merita, duke iu referuar të rënëve në luftën e Kosovës. Gjatë periudhës së luftës, ajo ka qenë një adoleshente dhe ato kujtime i ka ende të gjalla, aq më tepër kur numëron edhe të humbur mes njerëzve të dashur. “Si muzë më ka shërbyer gjyshja ime, e cila ka humbur dy djem. Ata u zhdukën gjatë luftës. Deri para pak kohësh quheshin të humbur dhe të premten e shkuar bëmë rivarrimin e njërit prej tyre. Arritëm të gjenim vetëm njërin. Dy dajallarët e mi ishin shumë të rinj në moshë, 18 dhe 19 vjeç… Ishim gati

Merita Jaha gjatë aktiviteteve me fëmijët (Djathtas) Merita në proces pune (Poshtë) Dy nga punët e Jahës

moshatarë dhe unë isha shumë më e lidhur me ta. Kishim më shumë një raport miqësor se sa dajë-mbesë”, tregon ajo, ndërsa deti në sy dallgëzohet nga pak. Dhe ishte pikërisht kjo lidhje e fortë që lindi këtë cikël pikturash, të cilat Merita i solli në Tiranë në shenjë homazhi për ta, por edhe për gjithë të humburit e tjerë. Janë piktura të paekspozuara më parë, të cilat do të kthehen më pas në galeritë e Gjakovës, prej nga është origjina e saj dhe në Prishtinë, ku ajo jeton. Tashmë kanë kaluar gati 12 vjet që nga Lufta në Kosovë, jeta ecën përpara, megjithatë ka kujtime të cilat nuk mund t’i shlyesh. “Në raste ceremonish, apo rivarrimesh, plaga hapet edhe një herë, ndaj të duket sikur digjesh nga brenda. Por them se është një kapitull i mbyllur. Sa i përket anës profesionale, si tematikë, tashmë trajtoj krejt tema të tjera. Ndërsa shpirtërisht, nuk mund të rrimë indiferentë dhe pavarësisht se i shtypim ndjenjat tona, ato ngrihen dikur”. Por të shprehurit përmes artit e ka ndihmuar t’i kalojë të gjitha traumat e pasluftës. “Piktura ishte terapia më e mirë që kam pasur”. E ndërsa vet ndihet e çliruar prej saj, mundohet t’ua përcjellë edhe të tjerëve, si terapi, si komunikim, por edhe si bukuri. Sipas saj, nëse do të bëhej më shumë për artin e artistët e rinj, ndoshta edhe politika do të shkonte më mirë në Kosovë. Por në këtë periudhë tranzicioni, ajo dhe shumë të rinj të tjerë kosovarë po tregohen të duruar e po mundohen vetë t’i gjejnë hapësirat e duhura. Prej më shumë se një viti, në studion e saj private ka filluar kurset e artit figurativ. Fëmijë nga 4-12 vjeç, por edhe më të rritur, madje ka edhe 45, 60, apo 70-vjeçarë që shkojnë të marrin mësime pikture tek Merita.  Por puna me fëmijët është më e bukura për të. Madje është një nga momentet më të këndshme të ditës, të cilat i pret me padurim. “Është një dashuri reciproke, e jashtëzakonshme mes nesh”. Shumica prej tyre kanë lindur pas luftës dhe preokupimet e tyre janë tërësisht të tjera. Merita tregon se në punët e tyre paraqiten më së shumti tema të gëzuara, nuk ka trauma, nuk ka dhimbje. Kjo do të thotë se ka shumë shpresë. “Për këtë unë punoj më shumë, me qëllim që ata të gjejnë dhe të shprehin gëzim, jo vetëm ato që na mundojnë”. Por punët e nxënësve ë saj të vegjël e të rritur nuk mbeten vetëm në studio. I ka lidhur fijet mirë me Shqipërinë dhe herë pas here realizon ekspozita, aktivitete, koloni artistike, trajnime etj. Një ndër to ishte edhe trajnimi me mësueset e qendrës “Dea”, që trajton fëmijë me aftësi të kufizuara, për mundësitë dhe ndihmën që ofron arti në punën me këta fëmijë. “Pas një ekspozite në Prishtinë, lindi ideja që të hapnim dhe një të tillë në Fier (qendra është në Patos) dhe realizuam një ankand, ku i shitëm të gjitha punët dhe të ardhurat ia dhuruam qendrës “Dea”. Por përveçse merret me pikturë e jep mësime, merita përpiqet të ndihmojë edhe prindërit, ndihet shumë e lidhur me ta dhe u është borxhlie, për gjithçka kanë bërë për të. “Një pjesë të kohës ndihmoj prindërit, të cilët kanë një fast-food. Paraditen e kaloj me ta dhe pasdite me kurse. Është pak kohë e ngjeshur, pak e lodhshme, por prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë për mua dhe kjo është më minimalja që mund të bëj”, thotë ajo.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura