Meloni bisedon në telefon me Zelenskyn: Itali do t’i dërgojë Ukrainës gjeneratorë emergjentë dhe mbështetje për infrastrukturën energjetike

Dec 7, 2025 | 21:55

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në prag të vizitave të tij të ardhshme në Bruksel, Romë dhe Londër.

meloni-zelensky

Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë italiane, Meloni i rikonfirmoi Zelenskyt solidaritetin e Italisë pas sulmeve të fundit ruse. Ajo e informoi presidentin ukrainas se Roma do të dërgojë pajisje emergjente për të mbështetur infrastrukturën energjetike dhe qytetarët e Ukrainës.

“Gjeneratorë të prodhuar nga kompani italiane do të nisen drejt Ukrainës në ditët në vijim”, thekson komunikata.

Meloni shprehu gjithashtu mbështetjen e saj për negociatat në zhvillim dhe përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për gjetjen e një procesi që të çojë drejt një “paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”.

Në njoftim theksohet se gatishmëria e Ukrainës për t’u ulur në tryezën e bisedimeve “me mirëbesim” është thelbësore për ecurinë e procesit dhe se ka pritshmëri që një hap i ngjashëm të vijë edhe nga ana ruse.

© Panorama.al

Te lidhura