Leksikologjia na mëson se kur një fjalë e huaj shumëkuptimshe hyn si huazim në një gjuhë tjetër, ajo nuk bart detyrimisht të njëjtat kuptime si në gjuhën burimore. I tillë është rasti, në shqipe, i fjalës “maskaradë”, të huazuar nga frëngjishtja “mascarade”. Në shqipe, pra, kjo fjalë ka vetëm dy kuptime (1. “mbrëmje a veprimtari dëfrimi me maska” dhe 2. “diçka e tepruar dhe qesharake”, (shih “Fjalorin e gjuhës shqipe”, Tiranë, 2006), ndërsa në frëngjishte (shih “Le Petit Robert”, Paris, 2001) ajo ka edhe dy kuptime të tjera, nga të cilët njëri është “veprime sjellje hipokrite; inskenime mashtruese”. Pikërisht në këtë kuptim e përdori fjalën “maskaradë” zoti Rama kur vendosi, sigurisht me vonesë, të mos i njohë rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri. Veçse, duke e përdorur disi dendur këtë fjalë në sulmet kundër zotit Berisha dhe PD-së, ai hodhi dritë, dashur, padashur, në njërën prej skutave të nënvetëdijes së vet, pikërisht te kompleksi i tij i Edipit, të cilin ende nuk e ka kapërcyer, ndërkohë që, normalisht, këtë kompleks fëmija mashkull e kapërcen para se të mbushë gjashtë vjeç. Këtë pohim duket se e përforcon edhe ngjyrimi seksual i vetë fjalës shqipe “maskaradë”, posaçërisht tek tri shkronjat e dyta të saj. Çka më grish të mendoj se, në tërë ligjërimin politik të zotit Rama, kemi një logjikë jo ediane, por edipiane, e cila tregon që, tekefundit, ai ende nuk është rritur. Kjo shpjegon, pjesërisht, edhe vendimin e vendosmërinë e tij kryeneçe për t’u zgjedhur kryetar bashkie për të katërtën herë radhazi. Në këtë pikë nuk më habit fare siguria e tij e madhe se do t’i fitojë me çdo kusht këto zgjedhje vendore. Por ç’do të thotë “me çdo kusht”? Përvoja e freskët e strategjisë dhe e taktikave të zotit Rama tregon si ai është i gatshëm, nëse nuk zgjidhet kryetar i Bashkisë së Tiranës, të ribëjë atë që bëri kur humbi zgjedhjet e fundit parlamentare, d.m.th. të shkaktojë artificialisht tensione, trazira e turbullira, protesta e demonstrata të dhunshme, si ajo 21 janarit të kaluar, në Tiranë e kudo gjetiu, duke sfiduar paturpësisht edhe vetë ndërkombëtarët. Siguria e madhe e zotit Rama dhe besimi i tij i skajshëm në fitore fshehin, me shumë gjasë, një ndjenjë pasigurie, prandaj në këtë fushatë ai nuk flet për qytetarët dhe qytetin e Tiranës, por kryesisht sulmon “Saliun” dhe PD-në, duke ua kërkuar votën tiranasve në mënyrën urdhërore (“Voto Edi Ramën!”), krejt ndryshe nga rivali i tij, zoti Basha, i cili flet për qytetarët dhe për qytetin e Tiranës (“Ju jeni të parët, Tirana është e para”), pa përmendur “Edvinin” dhe PS-në.
Dje, tek kundroja bill borderat e fushatës zgjedhore diku pranë lagjes sime, vura re se shprehja e fytyrës dhe vështrimi i zotit Basha dukeshin të shtendosur, të sinqertë dhe paqësorë, kurse ato të zotit Rama më ngjallën një ndjesi të çuditshme: buzëqeshja e tij e ngrirë si ngërç, me një hije gati sardonike, si edhe sytë me një shkëlqim gati bezdisës dikë a diçka më kujtuan… dikë a diçka të frikshme. Kujt ia kisha parë vallë atë buzëqeshje të sforcuar, gati në trajtë skërmitjeje, atë parathënie zgërdheshjeje, si edhe atë vështrim të akullt gati cinik? Nuk vonoi dhe m’u kujtua: atë buzëqeshje dhe atë vështrim i kisha hasur për herë të parë tek fytyra e aktorit të njohur Jack Nicholson, në një film ku ai luan rolin e dikujt që, çdo natë, në një orë të caktuar, shndërrohet në ujk! Dhe më shkuan mornica në të gjithë trupin…
Gjithsesi, le të më lejojë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i kësaj rubrike të përjavshme, që t’i kthehem edhe një herë fjalës “maskaradë” në kuptimin “veprime, sjellje hipokrite; inskenim mashtrues”, për të pohuar me plot gojën se ka kohë – qysh kur erdhi (ashtu siç erdhi) në krye të Partisë Socialiste – që zoti Rama është bërë protagonisti i një maskarade të neveritshme ku pleksen e kombinohen, shkartisen e gërshetohen, në një vorbull marramendëse, demagogjia populiste dhe populizmi demagogjik më i pafytyrë që kam parë deri më sot. Prandaj, siç e kam hedhur idenë në titullin e këtij shkrimi, propozoj që maskarada me autor, skenarist, regjisor e aktor kryesor zotin Rama, të quhet “maskaRAMAdë”.
© Panorama.al












