Ku gabojnë maturantët në zgjedhjen e programeve të studimit të shkollave të larta. Ministria e Arsimit dhe AVA kanë bërë gati një material të detajuar që është dërguar dy ditë më parë në të gjitha drejtoritë arsimore.Ato do ta shpërndajnë guidën e këshillimit të karrierës në shkolla për t’u ardhur në ndihmë maturantëve për këshillimin e karrierës. Në fokus është formulari A2 dhe gabimet që bëjnë kandidatët për në universitet. Po kështu, specialistët japin një sërë këshillash për mënyrën se si maturantët duhet ta plotësojnë këtë formular. Ashtu siç është përcaktuar edhe në rregullore, ai do të publikohet në variantin përfundimtar vetëm pasi maturantët të kenë dhënë katër provimet që tashmë janë të detyruara. Me marrjen e rezultateve ata do të kenë të gjithë komponentët për të zgjedhur 10 preferencat e shkollës së lartë. Por, në guidën e Këshillimit për Karrierën, specialistët u kërkojnë kandidatëve të bëjnë kujdes. “Para se të përzgjidhni preferencat, duhet për të tëra ato programe studimi të llogarisni pikët tuaja dhe t’i krahasoni me pikët e fituesit të fundit për maturat e mëparshme. Nëse i afroheni dhe jeni më sipër se pikët e fituesit të fundit, përzgjidheni atë program studimi, ndryshe ulni shanset tuaja që të shpalleni fitues”, thuhet në këtë guidë. Sipas saj, përzgjedhja e preferencave është momenti më i rëndësishëm i procesit të shprehjes së vullnetit nga kandidati maturant. Nga sa thuhet, në të duhet që maturanti të përcaktojë jo më shumë se 10 programe të studimit. “Tek këto preferenca maturanti kandidat duhet të listojë programet e studimit që jo vetëm i preferon dhe në bazë të pikëve të grumbulluara ka mundësi të shpallet fitues, por dhe ka mundësi t’i ndjekë”. I pari vendoset programi i studimit që maturanti preferon më shumë, ose ai për të cilën ka marrë pjesë në konkurs. I dyti ai që preferon më pak, sipas radhës nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë e kështu me radhë. Preferenca më e lartë është preferenca 1. Mbi bazën e preferencave të shpallura dhe renditjes së tyre do të shpallen fituesit për secilin program studimi. Kontrollohet fillimisht preferenca 1, nëse maturanti është fitues, shpallet për regjistrim në universitetin përkatës. Nëse nuk është fitues në preferencën 1, kontrollohet preferenca 2 e kështu me radhë, deri në preferencën 10. Maturanti shpallet fitues në preferencën më të lartë ku ka grumbulluar pikët e nevojshme. Fitues ai është vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë, në grupin e preferencave ku ka grumbulluar pikët e mjaftueshme.
Komponentët e maturës
Maturanti kandidat për vazhdimin e studimeve të larta duhet të ketë fituar 5 rezultate: Notën mesatare të viteve të studimit në shkollën e mesme, 2 nota të shkallëzuara në provimet e detyruara, Letërsi dhe Matematikë dhe 2 nota të shkallëzuara në dy provimet me zgjedhje. Në bazë të këtyre notave, përllogariten pikët që ai fiton dhe që shërbejnë për të konkurruar për studime në IALP.
Këshilla për maturantët
• Kujdesuni të mbani mend saktë ID-në tuaj personale sepse është pasaporta juaj e konkurrimit në Maturën Shtetërore 2011.
• Plotësoni personalisht formularin A2, në mënyrë që t’i kontrolloni vetë degët e vendosura. Mos e lini në dorë të personave të tjerë, sepse mësuesit, prindërit apo të njohurit kanë të drejtë vetëm t’ju këshillojnë.
• Përpara se të plotësoni formularin shihni në ëeb site-in e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) koeficientet e shkollës dhe të lëndëve me zgjedhje për programet e studimit që do të preferoni, si dhe konsultohuni me pikët e fituesit të fundit për çdo program studimi në maturat e mëparshme. Maturantët kandidatë që kanë mbaruar një shkollë të mesme në profilin shoqëror kanë më pak shanse të shpallen fitues në programet e studimit me profil natyror.
• Nuk sugjerohet plotësimi i më pak se 10 preferencave në formularin A2, sepse zvogëloni shanset tuaja për të fituar një të drejtë studimi. Kujdes! Këshillojmë që të plotësohen të 10-të preferencat, në mënyrë që të rrisni shanset tuaja të suksesit.
• Theksojmë se kjo nuk është e detyrueshme dhe është njëlloj e “dëmshme” nëse listën e preferencave e shtojmë artificialisht me programe studimi për të cilat nuk arrini pikët e mjaftueshme, apo nuk keni mundësi (financiare) t’i ndiqni, sepse janë në universitete larg qendrës suaj të banimit. (Shembull: shkodrani fitues në Gjirokastër.)
Formula e pikëve
• Formula e thjeshtë dhe më e përdorshme për llogaritjen e pikëve është: (D1 + D2 + MES) KSH + Z1xKZ1 + Z2xKZ2] x 100 ku D1, D2, MES, Z1, Z2 janë respektivisht notat e shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore të Letërsisë, Matematikës, mesatares së shkollës, të lëndës së parë dhe të dytë me zgjedhje.
KSH – është koeficienti i shkollës.
KZ1, KZ2 – janë koeficientet e lëndëve me zgjedhje
Koeficientet e sipërme propozohen nga IALP dhe miratohen nga MASH
Këto koeficiente gjenden në linkun ëëë.mash.gov.al dhe më pas duhet të klikoni te butoni MATURA SHTETËRORE
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











