Më shumë aktivitet kreditues për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vend. Kjo është garancia që mbart me vete marrëveshja e nënshkruar dje nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, për pjesëmarrjen në Fondin Shqiptar të Garancisë. Kjo marrëveshje, e cila vjen në kuadër të Programit Italo-Shqiptar për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, u nënshkrua edhe nga disa banka të nivelit të dytë në vend, të cilat kanë garantuar më shumë mbështetje me kredi për biznesin e kësaj kategorie. Fondi Shqiptar i Garancisë do të shërbejë për të mbuluar një pjesë të madhe të garancisë që ku kërkohet bizneseve para se të marrin një kredi dhe kjo është vlerësuar pozitivisht nga ministri i Ekonomisë, Nasip Naço. “Krijimi i Fondit të Garancisë do të shërbejë si instrument nxitës dhe inkurajues për bankat për të lehtësuar kreditimin e SME-ve, nëpërmjet mekanizmit të garantimit të riskut të kredisë. Duke pasur në konsideratë edhe krizën globale, ekonomike dhe financiare në këto vitet e fundit, gjë nga e cila pa dyshim që edhe sistemi bankar në Shqipëri nuk mund të jetë imun”, vlerësoi ministri në fjalën e tij. Fondi i Garancisë, i financuar nga Kooperacioni Italian me 2.5 milionë euro, është komponenti i dytë i rëndësishëm i Programit për Zhvillimin e SME-ve, i cili përbëhet edhe nga dy komponentë të tjerë të rëndësishëm: linja e kreditit dhe asistenca teknike, i financuar përkatësisht nga 25 milionë euro dhe 1.7 milionë euro.











