Kryeministri Thaçi nuk dihet se sa ka arritur t’i bindë dje studentët në një auditor universiteti ndërsa u ka shpjeguar prioritetet e qeverisë, por ai ka shënuar tashmë fillimin e një rruge të vështirë në mandatin e dytë problematik në drejtimin e vendit. Mandati i dytë nuk është problematik vetëm për shkak të numrave dhe balancave të brishta në Parlament. Ai është problematik edhe sepse këtë herë, kabineti “Thaçi 2” duhet të ndërtojë një model të ri qeverisjeje për të rikuperuar besimin e humbur në sytë e qytetarëve. Shija e ëmbël e marrëveshjes politike të arritur me Isa Mustafën ka kaluar dhe këndej e tutje qeveria duhet t’i masë forcat me problemet reale që ka vendi. Kjo marrëveshje, që në dukje i dha oksigjen maxhorancës, nuk do të ketë asnjë efekt mbijetese nëse kabineti “Thaçi” do të ndjekë gjurmët e qeverisjes së mëparshme.
Ndonëse e kapërceu krizën politike postpresidenciale, qeveria aktuale nuk është në ditët e saj më të mira. Pavarësisht nga entuziazmi i përkrahësve dhe pezmi i kundërshtarëve të ashpër, me marrëveshjen e arritur me opozitën, kryeministri Hashim Thaçi nuk mund të quhet fitues. Fitorja e tij nuk lidhet me periudhën kohore deri në zgjedhjet e ardhshme (për zgjedhje të menjëhershme nuk ishte e interesuar as vetë opozita), por me raportin me zgjedhësit dhe qytetarët e Kosovës. Në këtë këndvështrim, pozita e liderit të maxhorancës e, për pasojë, dhe e qeverisë që ai drejton, është dëmtuar rëndë. Vetë fakti që u shkua drejt një marrëveshjeje politike vërteton se procesi zgjedhor i 12 dhjetorit nuk i ka dhënë legjitimitetin e duhur kësaj shumice për të qeverisur pa kushte. Kjo shumicë, gjithashtu, pranoi de facto atë që kundërshtarët e saj e deklaruan prej fillimit, se nuk kishte fuqi politike t’i impononte Parlamentit një president të zgjedhur vetëm prej saj. E po kështu, vetë Hashim Thaçi, nga një lider i fortë që shpallte fitoren dërrmuese në sheshin 21 mesnatën e 12 dhjetorit dhe u drejtohej militantëve të LDK-së që kishin dalë rrugëve të Prishtinës se mandati i tij ishte i pacenueshëm, u detyrua t’i zgjasë dorën Isa Mustafës dhe të pranojë botërisht shkurtimin e ditëve të tij kryeministrore. Afati prej rreth 2 vjet e gjysmë që i është lënë qeverisë nuk ka vlerë kohore aq sa ka vlerë simbolike për të treguar pafuqinë dhe tërheqjen e koalicionit qeveritar. Pa mohuar rëndësinë e marrëveshjes së 6 prillit në shmangien e një krize me pasoja të paparashikueshme, në aspektin politik ajo e nxori shumicën krejtësisht të zhveshur në ballafaqimin me elektoratin. Marrëveshja vërtet u duk si një kamerdare shpëtimi për qeverinë, por në fakt ajo e ka lënë atë në mes detit dhe dalja në breg nuk është aspak e sigurt. Për këtë maxhorancës do t’i duhet të përballet me shumë vështirësi, faturën e të cilave nuk mund t’ia veshë më destruktivitetit të opozitës.
Për këtë arsye, prova e vërtetë për kryeministrin Thaçi fillon tani. Topi është plotësisht në fushën e tij dhe ai duhet të tregojë këndej e tutje se nuk di vetëm të bëjë marrëveshje e të ndërthurë interesa, por edhe të qeverisë. Me kalimin e krizës politike, gjithë vëmendja do të vijë duke u përqendruar te performanca e qeverisë. A do të jetë ajo në gjendje të ofrojë një model të ri, të ndryshëm nga ai që e çoi vendin drejt zgjedhjeve problematike dhe në një situatë tepër delikate? Korrupsioni, abuzimi me pushtetin, emërimet nepotike, improvizimet ekonomike, privatizimet e dyshimta, përfshirja në politikë e elementëve të inkriminuar etj., ishin disa nga karakteristikat e qeverisjes së kaluar dhe që, dashje pa dashje, rëndojnë edhe mbi qeverisjen aktuale. Vërtet kemi ministra të rinj dhe jo të përfolur për afera korruptive, por kemi të njëjtin Kryeministër, i cili duhet të dëshmojë me prova se do të ndërtojë një model të ri qeverisjeje. Dhe për më tepër duhet ta bëjë këtë duke mos pasur komoditetin e numrave, me probleme të brendshme në parti dhe me një koalicion tashmë pa zemër me AKR, pas zhgënjimit të Behgjet Pacollit. Përballë një opozite të fortë dhe një opinioni publik tepër të ndjeshëm, Hashim Thaçi nuk mund të bëjë sikur, por duhet të japë prova reale të ndryshimit. Një testim të parë do të ketë pak a shumë pas një viti, kur do të votohet për Presidentin e Republikës.
Për mandatin e dytë të kufizuar të Hashim Thaçit, numërimi mbrapsht ka filluar. Patericat e marrëveshjes politike kanë rënë dhe prej sot e tutje kabineti i tij do të gjykohet çdo ditë për punën që do të bëjë. Kjo mbetet dhe e vetmja mënyrë që një forcë politike të rifitojë besimin e humbur. Atë nuk ta jep asnjë marrëveshje apo kompromis. Zgjatja e përkohshme e jetës nuk do të thotë shpëtim, dhe dy vjet e gjysmë kalojnë shpejt.
© Panorama.al












