Marco Rubio nis vizitën dyditore në Evropën Lindore, takim me kryeministrin sllovak, Robert Fico! Fokusi i diskutimeve

Feb 15, 2026 | 14:00

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nisi të dielën një vizitë dyditore në Evropën Lindore, me ndalesa në Sllovaki dhe Hungari, me synimin për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, raporton Reuters.

marco_rubio

Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Shtetit, Rubio pritet të diskutojë bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe çështje të tjera dypalëshe, përfshirë angazhimet në kuadër të NATO.

Dy vendet drejtohen nga liderë konservatorë, të cilët shpesh kanë pasur qëndrime të ndryshme nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe konsiderohen të afërt me Presidentin amerikan Donald Trump.

“Këto janë vende shumë të forta me ne, shumë bashkëpunuese me Shtetet e Bashkuara dhe punojnë ngushtë me ne”, u shpreh Rubio përpara nisjes drejt Evropës.

Në Bratislavë, Rubio u takua me Presidentin sllovak Peter Pellegrini, në vizitën e parë të një sekretari amerikan të Shtetit në Sllovaki pas shtatë vitesh.

Sipas njoftimit të presidencës sllovake, në fokus të bisedimeve ishin energjia dhe bashkëpunimi në mbrojtje, si dhe përmbushja e angazhimeve që burojnë nga samitet e NATO-s.

Më pas, kryediplomati amerikan zhvilloi një takim edhe me kryeministrin sllovak Robert Fico, i cili muajin e kaluar vizitoi Trump në Florida. Vizita e Rubios në rajon vjen pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih gjatë ditëve të fundit.

© Panorama.al

Te lidhura