Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia dhe Spanja janë arrestuar në Durrës, pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në pranga ka rënë Enkelet Avduli, 46 vjeç, i cili u kap teksa lëvizte me automjet në aksin rrugor “Rrogozhinë–Peqin”. Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit të Bolonjës e ka dënuar me 7 vite, 5 muaj dhe 9 ditë burgim për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Gjithashtu është arrestuar S. K., 38 vjeç, i shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle. Ai u kap në fshatin Sukth i Ri, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga autoritetet gjyqësore në Madrid për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “Implikimi”, pas koordinimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë në Itali dhe Spanjë. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e dy shtetasve.
Njoftimi i policisë:
DVP Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Implikimi”, për kapjen e 2 shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
2 të ndaluarit, në kërkim nga Italia dhe Spanja, për trafikim/tregtim të lëndëve narkotike, pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, me partnerët ndërkombëtarë në Itali dhe në Spanjë, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, për disa vepra penale, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me shërbimet e komisariateve të Policisë Shijak dhe Kavajë, finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin, shtetasit:
-Enkelet Avduli, 46 vjeç, i cili u kap teksa lëvizte me automjet, në aksin rrugor “Rrogozhinë–Peqin”, pasi Gjykata e Apelit e Bolonjës, Itali, e ka dënuar me 7 vjet, 5 muaj dhe 9 ditë burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kanosje;
-S. K., 38 vjeç, i cili u kap në fshatin Sukth i Ri, pasi autoritetet gjyqësore në Madrid i kanë caktuar masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.
© Panorama.al












