“Manipulimi i votës së diasporës, shans i humbur për Shqipërinë”- Belind Këlliçi: E pamundur që ata që janë larguar të votojnë 97% për Partinë Socialiste

Jun 5, 2025 | 15:51

PD vijon me denoncimin e asaj që ajo e quan farsa elektorale e 11 majit, ku PS mori 83 mandate.

kellici

I ftuar në News 24, Belind Këlliçi i cili mori një mandat për parlamentin e ardhshëm nga lista e mbyllur, u shpreh se në vend administrata publike angazhohet tërësisht që zgjedhjet t’i fitojë Partia Socialiste.

“Nuk ka më ndarje mes shtetit dhe partisë. Mungon vija ndarëse mes administratës publike dhe Partisë Socialiste. Administrata punon për zgjedhjet që të fitojë Partia Socialiste. Të gjithë institucionet publike, të gjithë bashkitë kanë qenë në fushatë për të fituar Partia Socialiste zgjedhjet. E pahasur më parë.”

Më tej ai evidentoi përplasjen në Vorë ditën e zgjedhjeve të Flamur Nokës dhe Albana Vokshit me bandën e Xhabaftëve.

“Ajo që ndodhi në Vorë, e paprecedentë. Bandidët kishin përdorur bexhe për të hyrë në qendrat e votimit, për të kërcënuar dhe intimiduar. Pastaj përdorimi masiv i votimit familjar. Në Tiranë dhe në Vorë, ka qenë shumë i përhapur votimi familjar. Për herë të parë u përdor alibia e task forcës së SPAK për të hetuar krimet zgjedhore. Nuk kemi asnjë zyrtar të shtetit të proceduar. Asnjë njeri të lidhur me Partinë Socialiste. U ngrit për të goditur opozitën.”

Sakaq, Këlliçi shton se vota e diasporës u manipuluar dhe kjo është një shans i humbur për Shqipërinë.

“Jetojmë në një vend ku shkoj si kandidat për të ofruar program dhe përgjigja që marr sa lek jep. Ky vend i bekuar, ka një arsye madhore pse boshatiset. Në rastin më absurd, e pamundur që ka shqiptarë në diasporë të votojnë 97% për Partinë Socialiste në një qark. Ajo që ndodhi me manipulimin masiv të votës së diasporës është një shans i humbur për Shqipërinë dhe një tallje.”

© Panorama.al

Te lidhura