Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ironizoi maxhorancën gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve teksa po diskutohet për Aktin Normativ të financimit me 4 milionë euro të koncertit të reperit amerikan Kanye West.
Korreshi tha me ironi se ai është i “epokës” së Luan Zhegut dhe se reperin amerikan nuk e njihte fare. Sipas tij, me 2 milionë lekë të vjetra do të këndonte e gjithë Myzeqeja, ndërkohë që reperi amerikan mori 4 milionë euro.
“Kjo ministria juaj ka sjellë ca bileta për ne apo ishte vetëm për PS. ishte kaq mirë ky këngëtari sa unë e njoha vetëm se kur do vinte në Shqipëri dhe se do të merrte 4.3 mln euro. Fshatar jam unë, jam te Luan Zhegu akoma, ashtu kam qejf.
Ti je i emancipuar dhe kërceve rrupsi dupsi atje (i drejtohet Ulsi Manjës). Ne e duam me def. Këto biletat ishin vetëm për Freshistat? Ku vajtën këto biletat. Atje nga Lushnja duam 2 mln lekë të vjetra, këndon gjithë Myzeqeja. 4 milionë euro i mori Kanye West. Tani që iku stadiumi, do të jepen ato kullat aty apo jo ta bëjmë të bukur?!”, tha Korreshi.
Ndërkohë ministri Blendi Gonxhja theksoi se struktura e koncertit ka kushtuar 2.2 milionë euro.
“Pati spekulim të madh në lidhje me stadiumin. Nuk ka pasur asnjë lloj pagese për stadiumin 50-60 mln euro si u bë virale. Ajo është strukturë e përkohshme. Një nga kërkesat e artistit ishte që të kishte një platformë me rreth 60 mijë spektatorë. Ne si Shqipëri duhet të interesoheshim që biletat të ishin sa më ekonomike.
U pa e udhës në strukturë me qira, pjesë e buxheteve dhe kostove që ka koncerti. Struktura nuk ka kushtuar më shumë se 2.2 mln euro brenda kostove të aktivitetit. 2.2 milionë euro e çmontueshme dhe provizore.”, tha ai.
© Panorama.al











