“Rama po nxjerr para jashtë vendit” – Deklarata e eurodeputetit, Berisha: Kryeministri hesht, por s’do ta kapërcejë këtë aktakuzë të rëndë! Prokuroria Publike e BE-së të nisë hetimet

Jul 21, 2026 | 13:00

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me deklaratën e eurodeputetit Tomas Zdechovsky se kryeministri Edi Rama dyshohet të ketë nxjerrë para jashtë Shqipërisë përmes familjarëve të tij.

WhatsApp Image 2026-07-21 at 12.36.38

Në konferencën e sotme për mediat, Berisha tha se heshtja e kryeministrit Rama e bën të besueshme akuzën e ngritur ndaj tij. Berisha tha se kjo deklaratë e eurodeputetit vjen në një kohë kur opozita ka denoncuar vazhdimisht se kryeministri ka bërë transferime parash me avion.

“Së pari, Edi Ramës i them se nuk mundet me heshtjen tënde të kapërcesh këtë aktakuzë të rëndë, kurrsesi. Përkundrazi me heshtjen e bën edhe shumë më të besueshme. Kjo heshtja 24 orë nga një lajm i tillë, i cili në të gjithë mediat e mëdha të botës do të përbënte një bombë të vërtetë, hesht si fija e barit. Heshtja turpëron çdo media, çdo kompani mediesh, të cilat censurojnë në një akt jo miqësor ndaj qytetarëve, por në një akt censure armiqësore ndaj tyre, lajmin se Edi Rama me familjarët e tij transporton para jashtë shtetit. A është kjo akuzë një rrufe në qiell të hapur? Jo! Kjo akuzë nuk është një rrufe në qiell të hapur. Kjo akuzë vjen pas një seriali akuzash të bëra nga PD dhe personalisht unë, gjatë 3 viteve të fundit.”, tha Berisha.

Berisha theksoi se do të kërkojnë sërish ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar veprimtarinë e kryeministrit, pasi sipas tij, ka të dhëna tronditëse që provojnë transportin e parave.

“Deklarata bombë e europarlamentarit cek është një kontribut madhor pasi PD do rikthejë përsëri kërkesën për krijimin hetimor parlamentar për të hetuar transportin e parave dhe të drogës me avionin privat taksi të Edi Ramës në mbarë Evropën dhe më gjerë.”, theksoi ai.

Ai i bëri thirrje Prokurorisë Publike Evropiane që të nisë një hetim ndaj kryeministrit.

“I bëj thirrje Prokurorit Publike të BE, por edhe Interpolit dhe Eurojust që të nisin hetimet për Ramën që transporton paratë me avion si diktator afrikan Nga ana tjetër i bëj thirrje Prokurorit Publik të BE të ndërmarrë menjëherë hetime për këtë problem tmerrësisht shqetësues. I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust të angazhohen në hetimet më serioze të Edi Ramës që sillet si diktatorët e dikurshëm të Afrikës, që mbushin avionët me kartëmonedha dhe i sjellin në banka të ndryshme. Ky hetim ka një vlerë dhe rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët. PD do të vazhdojë kërkesën e saj për hetimin më të plotë të mundshëm.”, shtoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura