Nëntë muaj pas grabitjes spektakolare në Luvër, rihapet salla Apollo! Bizhuteritë e çmuara mbretërore hiqen nga ekspozita

Jul 21, 2026 | 12:53

Salla Apollo në Muzeun e Luvrit do te rihapet për publikun të mërkurën, më 22 korrik, gati nëntë muajsh pas grabitjes spektakolare që tronditi Francën dhe botën e artit. Megjithatë, vizitorët nuk do të mund të shohin më vitrinat me bizhuteritë e çmuara mbretërore, pasi objektet me vlerë janë hequr nga ekspozita.

luver

Administrata e muzeut bëri të ditur se hapësira do të rikthehet në funksionin e saj fillestar si një sallë ceremoniale dhe ekspozitash zyrtare, sipas konceptit të saj të shekullit të 17-të.

Grabitja ndodhi më 19 tetor 2025, kur një grup autorësh hyri me forcë në Luvër duke përdorur një kamion me platformë ngritëse. Brenda pak minutash, ata arritën të marrin tetë bizhuteri nga koleksioni mbretëror francez, me një vlerë të përllogaritur rreth 88 milionë euro.

Deri më tani, sendet e vjedhura nuk janë gjetur.

Për objektet e mbetura, muzeu po planifikon krijimin e një hapësire të re magazinimi me siguri të lartë, e projektuar si një kasafortë pa dritare në një pjesë tjetër të Luvrit.

Grabitja nxori në pah dobësi serioze në sistemin e sigurisë së muzeut më të vizituar në botë, i cili pret rreth nëntë milionë vizitorë çdo vit. Pas ngjarjes u evidentuan probleme të tjera, përfshirë mangësi në sigurinë kibernetike dhe dëmtime të infrastrukturës së muzeut.

Kritikat për gjendjen e sigurisë në Luvër kishin nisur edhe më herët, ndërsa kriza e shkaktuar nga grabitja solli ndryshime në drejtimin e institucionit, me Christophe Leribeau që mori detyrën e presidentit të muzeut. Një komision parlamentar francez arriti gjithashtu në përfundimin se dobësimi i masave të sigurisë kishte ndikuar në krijimin e kushteve që mundësuan grabitjen.

 

© Panorama.al

Te lidhura