Majko: 9 maji, jo një ditë e qetë

Apr 24, 2011 | 10:55

Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, në një intervistë televizive me gazetarin Roland Qafoku në “Ora News”, tha se PS-ja nuk ka opsionin e bojkotit për zgjedhjet e 8 majit.Por Majko nuk e sheh 9 majin, ditën e parë pas votimit, si një ditë të qetë politike. Sipas tij, kriza do të vazhdojë në Shqipëri.
Ka ndikuar në këtë acarim fushate zgjedhore dhe fakti që zoti Rama ka dilemën më të madhe si kandidat për herë të katërt për Bashkinë e Tiranës, nëse fiton apo humbet?
Dilema ka gjithmonë dhe nuk e besoj se në konkurrim hyhet pa këtë dilemë. Mendoj se kandidimi i zotit Rama nuk ka të bëjë me dilemën nëse do të fitojë ose do të humbasë ai, por ka të bëjë me dilemën e një beteje politike, e cila nuk mund ta shmangte kandidimin e tij. Në kushte të tjera politike, kandidimi i zotit Rama do të ishte i tepërt dhe kjo do t’i takonte një kolegu tjetër.
Këtë e ka thënë edhe ambasadori amerikan në një intervistë televizive, se ka pasur debate në Partinë Socialiste për rikandidimin e zotit Rama. Si e komentoni ju këtë?
Ky nuk është koment, por një vëzhgim i një ambasadori që ndjek situatën politike në Shqipëri.
Ç’duhet të bëjë zoti Rama nëse i humbet zgjedhjet?
Opozita është në momentin e saj politik më të mirë në drejtimin dhe menaxhimin e një fushate që, në një mënyrë apo tjetrën, ka përfshirë të gjithë shoqërinë shqiptare. Ne, për arsyet tona, e kemi realizuar suksesshëm faktin se këto zgjedhje po vijnë ashtu siç ne i kemi menduar, politike dhe pastaj administrative.
Zoti Godo, pak ditë më parë, është shprehur se nëse opozita fiton 55 për qind në këto zgjedhje, ka të drejtë të provokojë zgjedhje të parakohshme. Nëse kjo do të ndodhë, zoti Rama do të japë dorëheqje nga kryetar i Bashkisë për të qenë kandidat për kryeministër?
Nuk besoj se do të jetë ndonjë humbje e pariparueshme për qytetarin të ndjehet i zhgënjyer, se atë që e ka votuar për kryetar bashkie ta shohë në zyrën e kryeministrit. Nuk shoh asnjë lloj problematike apo vakumi. Qytetaria e Tiranës e ka shumë të qartë atë që po ndodh në Tiranë dhe më gjerë. Në këtë situatë politike që jemi, nuk shoh se kemi të bëjmë me shmangie.
A do t’i njohë Partia Socialiste zgjedhjet?
Nga e keni këtë informacion?
Në 2009-n ju keni njohur rezultatin, por jo procesin?
Përfaqësuesit e PS-së në KQZ kanë votuar rezultatin. Ne e kemi deklaruar rezultatin dhe kemi hyrë në Kuvend. Kërkesa jonë ka qenë të godasim sistemin, por që sistemi të funksionojë. Njohja e  rezultatit të zgjedhjeve dhe transparenca janë dy çështje të ndryshme. Edhe për zgjedhjet lokale, as që diskutohet, në kushtet e njohjes dhe pranimit edhe nga OSBE/ODIHR-i të asaj që do të ndodhë me rezultatin, ne do të jemi pjesë e zgjidhjes, dhe jo e problemit.
Zoti Pollo ka deklaruar se opozita mund të tërhiqet ditën e votimit, gati si në 1996-n. Do të tërhiqet opozita nga zgjedhjet?
Mendoj se deklarimet në kushtet e një fushate kaq të polarizuar nuk e ndihmon situatën dhe zgjidhjen e problemeve politike. Nuk kemi skenar për të bojkotuar zgjedhjet e 8 majit.
Zoti Rama nuk ka punuar njëlloj në Bashki që nga koha që është bërë kryetar i PS-së…
Ajo që mendojnë sot njerëzit në Tiranë është se cili duhet të jetë hapi i nesërm për Tiranën. Zoti Rama, me shndërrimin e Tiranës në qytetin më të zhvilluar shqiptar, ka krijuar një skemë  drejt së cilës po ecin të gjitha qytetet e mëdha. Katër vjetët e fundit mund të kenë njëfarë rënieje, siç e thoni ju, si grafikë. Arsyetimi është: pse? Në pamje të parë duket se tek ai ka ndikuar angazhimi i tij me partinë. Kjo mund të konsiderohet gjysmë e vërtetë. Me ardhjen e zotit Berisha në pushtet në 2005-n dhe të zotit Rama në krye të PS-së, marrëdhënia mes qeverisë dhe opozitës kaloi nga marrëdhënia normale mes pozitës dhe opozitës, në një marrëdhënie mes Ekzekutivit dhe Bashkisë.
Si në mandatin e parë, ashtu dhe në këtë fushatë, antiberishizmi ka qenë në qendër të fushatës elektorale të zotit Rama për Bashkinë e Tiranës. Si e shpjegoni këtë qasje prej 10 vjetësh?
Nuk mendoj se problemi fillon dhe mbaron te Sali Berisha. Problemi është marrëdhënia mes pozitës dhe opozitës, e cila po zbret dhe në nivel lokal. Mos mendoni se një pjesë e këtij evazioni të madh famujsh që shihni nëpër qytete janë pjesë e fushatës elektorale. Ato janë pjesa e dukshme, ashtu si dikur bunkerët e komunizmit, që tregonin ankthin e një pushteti të pasigurt. Sot vështirë të gjesh një politikan që mund të të thotë se 9 maji do të jetë një ditë e qetë, ku njerëzit do të psherëtijnë dhe do të thonë se kjo histori mori fund. Kriza politike nuk njeh vakume, ajo zgjidhet ose nuk zgjidhet. Nuk mendoj se sot ka njerëz realistë që besojnë se pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri nuk do ketë më krizë politike.

© Panorama.al

Te lidhura