
Njëra nga vajzat binjake të njërës prej mjekeve që gjendej në helikopterin e nisur me urgjencë nga Tirana për të shpëtuar studentët e aksidentuar në Himarë, tregon se si i treguan të voglave për ngjarjen, ç’u bë me Magdën dhe Dasarën pas vdekjes të së ëmës, Zana Floqit? Por si u dha urdhri dhe si u nisën mjekët me helikopter, këtë e tregon kolegia e Zanës, Emine Struga. Dokumenti sekret rreth ngjarjes, referuar ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Simon Stefani
Historia e tragjedisë ku humben jetën 23 vetë në Himarë, është përkujtuar për çdo muaj nëntor të këtyre viteve që kanë pasuar. Janë botuar hamendësime për një kapërcim të kufirit shqiptar, dokumente të Ministrisë së Brendshme rreth ngjarjes, por këtë herë, kemi hyrë më në brendësi, edhe pse data nuk i afrohet largimit nga jeta të studentëve dhe mjekëve të shërbimit. Zana Floqi, ka qenë mjekja anesteziste që edhe pse kishte fobi të hipte në avion (siç tregon sot mikesha e saj), mori urdhrin e prerë për të ikur në ndihmë. Diçka sikur kishte parandierë, sjelljet me koleget atë drekë ishin më të afërta se herët e tjera… Por nëse me koleget njëfarësoj u përshëndet, Zana nuk mundi ta bëjë dot me të bijat, dy vajzat binjake që e prisnin në shtëpi. Magda, njëra prej motrave, na ka rrëfyer gjithë kujton nga ato ditë të ngjarjes. Domosdo që familjarët u kujdesën të mos i linin vogëlushet të pranishme në shtëpi, po ndjesitë nuk ua kanë shmangur dot. Asokohe, përjetimi ka qenë krejt i gjallë, mungesa e përkujdesjes nëpër shtëpi nuk kishte të zëvendësuar. Por me vitet, për shkak edhe të pranisë së gjyshes në shtëpi dhe të të atit që nuk u martua më, Magda sikur nuk e ka të fortë ndjenjën e mallit. Pirro, siç është mësuar t’i thërrasë të atit, është përpjekur që të dyjave mos t’u mungojë asgjë, i ka përkëdhelur, i ka këshilluar, ka bërë nënën dhe babain. Prandaj, mungesë përkushtimi a përkujdesjeje asnjëra prej të dyjave nuk ka ndierë. Do ishin padyshim më plot se kaq, ashtu sikundër do ishin më pak të përkëdhelura seç është kujdesur me vetëdije babai që të jenë…
Magda, sa vjeç ke qenë ti dhe Desara kur mamaja u largua nga jeta?
Sapo kishim filluar shkollën, në klasë të parë. Më kujtohet që unë isha në shtëpi atë ditë, sepse isha sëmurë me bajame, ndërsa motra, Dasara, ishte në shkollë.
Si ju erdhi lajmi?
Dua të them së pari se unë nuk kam ndonjë pamje fort të qartë të atyre ditëve, sepse familjarët, babai dhe gjyshja, u kujdesën të mos na mbanin në shtëpi. Im atë ka qenë dhe vazhdon të jetë i drejtpërdrejtë, kur ka për të thënë diçka, qoftë edhe të një lajmi aq të rëndë sa ç’ishte ai. Natyrisht që përjetimet merren me mend edhe pse duhet marrë parasysh edhe mosha jonë. Kujtoj një përqafim të nënës përpara se të na përcillte për te shtëpia e dajës, ku ndenjëm për gati një muaj.
Gjyshja nga mami jetonte me ju në shtëpi?
Në fakt nuk ishte gjyshja biologjike. Time më e kishte adoptuar halla e saj dhe mbiemrin Floqi e ka prej burrit të hallës dhe nuk preferoi ta ndërronte meqenëse ishte rritur prej tyre. Halla, që po e quaj nëna, mori shtëpi në Tiranë dhe, kur u martua mami edhe babi, u bashkua dhe jetoi me to.
Ç’kujtime ruan nga ato pak vite që keni jetuar së bashku?
Ju thashë edhe më parë që nuk kujtoj fort gjëra, kanë kaluar kaq shumë vite, ne kemi qenë fare të vogla. Me aq sa më ka treguar im atë, unë i ngjaj në shumë gjëra, por që vet nuk arrij të bëj lidhjen.
Megjithatë diçka duhet të kujtosh, një ngjarje, një ditë ndryshe…
Duhet të rikthehem shumë shpejt. Tani që mendoj, të dyja, si unë tani si mami atëherë, kemi pasur shumë qejf të kujdesemi për pamjen e jashtme, për veshjet… Më kujtohet një herë kur shkuam së bashku të bënim çizme me porosi.
Çfarë ju treguan më vonë për ngjarjen?
Që kishte ndodhur një aksident. Mami ishte nisur urgjent për një shërbim pune në Himarë, ku ishte aksidentuar një grup studentësh që udhëtonin për një ekspeditë. Disa thonë që pilotët nuk ishin mësuar me ato kushte, të tjerë që koha ishte shumë e keqe. Ishin përplasur me faqen e malit, sepse kishte nisur një erë e beftë. Por unë mendoj që ashtu ka qenë e shkruar, jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër, ashtu siç është e vërtetë edhe e anasjella.
Mbase kjo pyetje as që ka nevojë të bëhet, por, sa ju ka munguar mamaja në gjithë rritjen tuaj?
Në fakt, të them të drejtën, nuk e kam ndierë shumë mungesën, ndoshta edhe për pasojë të asaj që ndodhi kemi pasur vëmendjen e të gjithëve. Në shtëpi, vazhdoi të qëndronte nëna që ishte domosdo një ndihmë shumë e madhe për Pirron.
Babai nuk u martua më pas?

Jo, nuk u martua. Nëna i pati thënë, kohë më vonë pas ngjarjes, që ishte i lirë të krijonte një jetë të tij në një farë mënyre, por ai nuk pranoi. Vendosi të qëndrojë me ne dhe ashtu u rritëm të katërt, deri pak kohë më parë kur nëna vdiq.
Po gjyshja e vërtetë?
Po ka qenë, komunikojmë dhe takohemi vazhdimisht.
Tani si është e organizuar jeta juaj, jetoni të tre së bashku, punoni…
Unë jetoj me Pirron, sepse Dasara hë për hë është në Amerikë. Unë kam përfunduar Akademinë Ushtarake dhe punoj në Ministrinë e Mbrojtjes edhe pse ideja fillestare e përzgjedhjes së kësaj dege nuk ka qenë që të mbyllem në zyrë, nuk përqendrohem dot dhe as rri dot gjatë në të njëjtin vend.
Nga këto duket edhe se sa pas qejfit të ka ardhur babai, përfshi këtu edhe lirinë për të zgjedhur gjithçka ke dashur të bësh në jetë…
Është e vërtetë, tani jam mirë (qesh) sepse kemi qenë edhe më të llastuara kur ishim të vogla, Pirro na ka llastuar. Mendoj që në atë moshë të bën mirë, pastaj gjërat ndryshojnë vetiu. Rritesh, ndërgjegjësohesh, nuk je më si më parë.
Dokumenti i botuar rreth ngjarjes
Sekret. Ekzemplar Nr. 6. Tiranë më 9.12.1989. Lënda: Për aksidentin e rëndë me pilotët, mjekët dhe studentët e Institutit të Lartë Bujqësor në zonën e Himarës.
Ministrit të Punëve të Brendshme, shokut SIMON STEFANI
Në datën 22.11.1989, autobusi tip prodhim i Shkodrës i Institutit të Lartë Bujqësor, që drejtohej nga shoferi Ali Omuri, është nisur nga Himara në drejtim të qytetit të Sarandës rreth orës 13:00. Në autobus ndodheshin 3 pedagogë të asaj shkolle, 14 studentë të kursit të pemëtarisë, si dhe një ushtar pasagjer. Në orën 14:00 në afërsi të fshatit Kudhës, ku rruga është dishezë e theksuar, 100 metër para një kthese të fortë shoferi ka bërtitur duke thënë: “U morëm në qafë”. Ndërkohë makina ka rritur së tepërmi shpejtësinë. Në kthesë shoferi nuk mundi të manovrojë, del jashtë rrugës duke bërë disa rrotullime. U shkaktua vdekja e vetë shoferit dhe e studentit Albert Smoka. Është shkaktuar dhe plagosja e personave të tjerë.
Fillimisht, të dëmtuarve u është dhënë ndihmë prej një reparti ushtarak aty afër e fshatarët përreth dhe janë dërguar menjëherë në Spitalin e qytetit të Himarës. Prej aty është kërkuar ndihmë e specializuar mjekësore në rreth.
Për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve rëndë, nga Tirana janë dërguar dy helikopterë: “MJ-6=44” i drejtuar nga komandanti Vangjel Postoli, piloti Tafil Agaj dhe teknik-mekaniku, Pandeli Xhumba, dhe “MJ-6-50” i drejtuar nga komandanti Agron Galanxhi, piloti Veledin Resuli dhe teknik-mekaniku, Enver Haka. Në bordin e tyre kishin edhe ekipin e mjekëve të Spitalit Nr.2 në Tiranë, të përbërë nga Agim Qarri, Kujtim Hysi, Dionis Makuçi, Zana Floqi si dhe ndihmësmjekja, Dhurata Leka.
Në orën 16:00 kanë mbërritur në qytetin e Himarës ku janë pritur nga personeli i shërbimit shëndetësor të këtij qyteti, nga komandanti dhe komisari i Brigadës së Himarës dhe komisari i Brigadës së Nëndetëseve. Ekipi mjekësor i Tiranës ka konkluduar që (për të plagosurit) të veçoheshin ata që ishin në gjendje shumë të rëndë dhe që u duhej dhënë ndihma mjekësore në Tiranë.
Fillimisht pilotët kanë diskutuar me njëri-tjetrin për vështirësitë e kthimit, pasi po errësohej dhe koha kishte mjegull të dendur, e cila ishte e rrezikshme për një udhëtim normal. Pasi kanë mësuar keqësimin e gjendjes së tre të plagosurve, kanë vendosur të fluturojnë për në Tiranë. Kanë hedhur në hartë rrugë-kalimin e kthimit, që do të bëhej gjatë bregut të detit për të dalë te ishulli i Sazanit e më tej në Tiranë. Pastaj, dhanë urdhër që të tetë të plagosurit më rëndë të bëheshin gati për fluturim. Në helikopterin e parë me ekuipazh të drejtuar nga oficeri Agron Galanxhi, kanë hipur të dëmtuarit, Thoma Plasa, Ilirjana Brahimi, Taip Llaçi, Xhelal Ndreu të shoqëruar nga mjekët Agim Qarri dhe Dionis Makoçi. Në helikopterin e dytë të drejtuar nga oficeri Vangjel Postoli kanë hipur të dëmtuarit Misto Shumeli, Elida Hyseni, Donika Ferra, Zef Sula të shoqëruar nga personeli mjekësor me mjekët Kujtim Hysi, Zana Floqi, Dhurata Leka si dhe nga mjeku Nafail Metollari dhe ndihmësmjeku Piro Kuko të qytetit të Himarës.
Në orën 18:20 është nisur për fluturim helikopteri i drejtuar nga Agron Galanxhi, duke marrë drejtimin e bregut të detit. Pas tre minutash është ngritur për fluturim helikopteri i drejtuar nga Vangjel Postoli, i cili fillimisht mori drejtimin për nga Saranda, pastaj kthehet dhe merr drejtimin e fshatit Vuno, duke bërë një fluturim të çorientuar, ndryshe nga kursi i kthimit. Rreth orës 19:00 është përplasur me malin mbi Vuno, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave që ishin në të si dhe shkatërrimin e plotë të helikopterit. Po rreth kësaj ore, nga një repart ushtarak në afërsi të Llogarasë është dëgjuar një e përplasur e fortë në shpatin e malit, e shoqëruar me një flakë të madhe. Nga kërkimet e bëra pas 14 orëve, në datën 23.11.1989, në këtë vend u gjetën helikopteri i shkatërruar plotësisht dhe të gjithë personat që ishin në të, të vdekur.
Nga përplasja e tyre gjetën vdekjen 21 persona dhe u shkaktua një dëm material 11.267.120 lekë. Pas transportimit të kufomave nga vendet e ngjarjes në fshatin Vuno dhe në repartin ushtarak të Palasës, me ndihmën e personelit shëndetësor të qytetit të Himarës, të personave që kanë njohur personalisht viktimat, të ekspertëve mjeko-ligjorë si dhe pajisjeve të veçanta personale të tyre, u bë identifikimi i plotë i të gjitha viktimave. Sendet vetjake të viktimave iu dorëzuan familjarëve, ndërsa pajisjet e tjera, komandës së repartit.
Viktimat e helikopterit MJ-6-44
1-Vangjel Postoli, komandant
2-Tafil Agaj, pilot
3-Pandeli Xhumba, mekanik
4-Misto Shumeli, i plagosur
5-Elida Hyseni, e plagosur
6-Donika Ferra, e plagosur
7-Zef Sula, i plagosur
8-Kujtim Hysi, mjek
9-Zana Floqi, mjeke
10-Dhurata Leka, ndihmësmjeke
11-Nafail Metollari, mjek në Himarë
12-Piro Kuko, ndihmësmjek në Himarë.
Viktimat e helikopterit MJ-6-50
1-Agron Galanxhi, komandant
2-Veledin Resuli, pilot
3-Enver Haka, mekanik
4-Thoma Plasa, i plagosur
5-Ilirjana Brahimi, e plagosur
6-Taip Llaçi, i plagosur
7-Xhelal Ndreu, i plagosur
8-Agim Qarri, mjek
9-Dionis Makoçi, mjek
Emine Struga: Nuk na lejonin as të qanim

Mjekja anesteziste i rrëzon në mënyrë kategorike hamendësimet që u bënë aso kohe për një tentativë arratisjeje nga ana e mjekëve. Ndërsa e bija e Zana Floqit, Magda, mund të dijë prej së ëmës vetëm ç’i kanë treguar familjarët apo të rrëmojë në kujtesë ndonjë gjurmë të mamasë, mikeshat e saj me të cilat Zana ndante kohën dhe përvojën e punës, e kujtojnë mirë atë ditë kur pakkush nuk ishte me lot në sy atë ditë në Spitalin Kirurgjikal. Emine Struga, mjekja tjetër anesteziste, kolege e Zanës, edhe pse më e madhe në moshë se ajo, mund të ishte një nga pjesëtarët e tjerë të helikopterit “MJ-6-44”, sikur të mos kishte ardhur pak me vonesë. Ashtu sikundër secili prej mjekëve që vraponin të arrinin spitalin një orë e më parë, mund të kishin pasur të njëjtin fat… Por si ishte situata ato orë kur pritej me padurim një lajm nga kolegët e tyre?! Në ato orë, kur ndër të tjera nuk mund të shfaqnin as dhimbjen që ndienin për shkak të atyre njoftimeve të fshehta që gjithsecilit i shkonin në një mënyrë apo në një tjetër. Pse? Ishin të urdhëruar…
Pse u zgjodh pikërisht Zana për të fluturuar drejt vendit të ngjarjes?
Zana nuk u zgjodh, por ajo u gjend aty, ishte mjek roje. Urdhri ka qenë aq i prerë, sa nuk ju lanë as kohë për të pritur të vinte ndonjë mjek tjetër. Aksidenti i studentëve ka ndodhur rreth orës 16:00, orar ky kur thuajse gjithë mjekët ishin larguar nga spitali. Sepse në rast se urdhri s’do të kishte qenë i tillë, nuk ndodhte ndonjëherë që mjeku i rojës të linte brigadën e tij.
Pra ju kishit ikur më herët… Si u ndatë me Zanën?
Atë ditë, në drekë, u anulua një operacion dhe unë bashkë me një tjetër kolege anesteziste u larguam qysh në orën 14:00. Sikur ta parandiente, Zana na ka përcjellë deri te dera e jashtme e spitalit duke na thënë “lum ju që mbaruat kaq herët”.
Pastaj, kur erdhi lajmi?
Gjatë kohës që shkonim për në shtëpi, ngjarja kishte ndodhur. Sapo kam hyrë brenda më ka marrë Tritan Shehu në telefon, sikundër kishte marrë edhe gjithë kolegët e tjerë, dhe na ka thënë të kthehemi urgjent në spital. Nuk patëm as kohe të merrnim frymë dhe jemi kthyer kush me autobus e kush në këmbë, të gjithë.
Ndërkaq helikopterët ishin nisur?
Po, ishin nisur të dy. Të gjithë ata që kishin qenë në spital ishin nisur, nuk u prit njeri tjetër, nuk kishte kohë. Ne të tjerët duheshim për t’i zëvendësuar dhe për të qenë në dispozicion për të aksidentuarit që mendoheshin të vinin me urgjencë. Madje kur u mblodhëm, po mendonim Zanën, sepse ajo e kishte siklet të udhëtonte me helikopter, kishte një farë fobie, nuk kishte udhëtuar më parë. Ndërsa ne të tjerave na kishte qëlluar.
Pas sa orësh mësuat për aksidentin?
Po ndërkaq ishte errësuar. Po rrinim në pritje me doktoreshë Rushen Golemin, të cilin në një moment e thërriti një mjek, i cili i tha se Tirana nuk po merr asnjë lajm nga helikopterët, duhet të ketë ndodhur një aksident. Por informacioni ishte i rezervuar, nuk duhet të shpërndahej. “Mos jepni alarm!”, ishte porosia e të gjithëve. Kemi ndenjur kështu me këtë ankth deri në orët e para të mëngjesit, deri sa na thanë të iknim. U larguam vetëm pak orë, sepse në 6 në mëngjes ishim prapë aty, por këtë herë kishin ardhur edhe familjarët e viktimave, të cilët kërkonin informacion.
Ende nuk ju ishte dhënë lajmi?
Jo, vazhdonin t’u thoshin të mos alarmoheshin sepse ende nuk ishte konfirmuar ç’kishte ndodhur. Por nga fytyrat tona, që nuk lejoheshim as të qanim, të afërmit e kuptuan. 2-3 prej tyre kaluan kriza nervore. Por, edhe pas kësaj, nuk na lejuan të shkojmë te shtëpia e Zanës, por pak fajde bënte, sepse Pirro e kishte dhënë tashmë lajmin.
Një variant është që ata kanë tentuar të largohen dhe kanë kapërcyer kufirin shqiptar, ç’u tha për këtë?
As dua ta mendoj këtë gjë, sepse nuk ishte e mundur. Unë e njihja Zanën shumë mirë për ta besuar. Dhe jo vetëm atë, por edhe mjekët e tjerë që kanë qenë në helikopter me të. Ishin të gjithë familjarë që kishin njerëz dhe halle pas, nuk mund ta mendonin këtë gjë. U fol edhe atëherë, edhe pas gjashtë muajsh dëgjoja që ata kanë tentuar të arratisen. Nëse për një çast do ta mendoja, do ta bëja vetëm kundrejt pilotëve, por as këtë variant nuk dua ta mendoj. Situata ka qenë aq e beftë, sa që nuk kishte se si të ndodhte një organizim i tillë.
Trupat erdhën?
U organizua një ceremoni e madhe te Shtëpia e Ushtrisë prej nga dolën arkivolet, por trupat nuk i pamë asnjëherë, sepse ishin tepër të dëmtuar.
Ç’marrëdhënie kishit ju me Zanën?
Zana ka qenë studente shumë e mirë, me tre gjuhë të huaja dhe erdhi si anesteziste në klinikën e parë të kardiologjisë, ku vinin si të thuash të privilegjuarit. Aty isha edhe unë. U bë menjëherë shoqe e mirë, sepse ishte e përgatitur, në rast të kundërt nuk është e lehtë të krijohen miqësitë. E përveç se mikeshë, mu bë edhe krah në punë. Edhe tani që kam dalë në pension mblidhemi shpesh me kolegët e punës dhe nuk ka rast ku të mos e kujtojmë.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











