Lustracioni, Selam Salem!

Apr 18, 2011 | 11:33

ARTUR LAZEBEU

Dikur në Salem, do çupërlina kërcyen turpshëm rreth zjarrit në pyll. Fjala mori dhenë për paktin me djallin. Pasoi gjuetia e shtrigave, por në litar shkuan jo ato. Shtrigat kishin gënjyer sinqerisht. Ky mëkat i pranuar me gjuhën e së “vërtetës” funksionoi si rëndom. Litari u rezervua për jorrëfimtarët dhe besimtaret që nuk pohuan njëlloj me to.  E keqja kërkohej edhe atje ku nuk ishte, pasi djalli i mosbesimit kish bërë vend kudo.
Le ta marrim më seriozisht. Në kapërcyell e këndej të mijëvjeçarit të tretë, tash 20 vjet, tani-e-pastaj përftojmë mendimin se me gogolin e dosjeve është luajtur e luhet më tepër për politikat koniunkturale të momentit, sesa për zbardhjen njëherë e mirë të misterit të tyre.
Nëse ka një qëndrim parimor për këtë çështje, ai është se duhet ditur “kush është kush” në aradhën e politikbërësve dhe vendimmarrësve të tranzicionit shqiptar. E kemi cilësuar të tejzgjatur. Pa as edhe një sugjestion nga e drejta e lëvizjes së lirë apo spaletat e NATO-s, dikush këtu a gjetiu, ndër mysafirë të përkorë ndërkombëtarë, mund të kish thënë edhe i dështuar, nisur nga do simptoma të tij. Simptoma jo spekulative, por të shkruara e zeza në të bardhë në Rezolutën 1096 (1996) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës: “Atje, ku në vend të demokracisë, mbretëron oligarkia, në vend të shtetit ligjor, korrupsioni, në vend të të drejtave të njeriut, krimi i organizuar”. Pa përmendur rastin më të keq të “restaurimit të kadifenjtë të një regjimi autarkik, e pse jo edhe një rrëzim të dhunshëm të demokracisë së brishtë”. Akanajgjotrenganekësisoj, më pyeste dikush me SMS. A ka ndonjë zhvillim politik në Shqipëri që të kujton vitet 1997-1998? Joooo, estakfurullah, shpejt abdest tek Namazgjaja!
Prapë pak serioz: askush nuk mund t’i thotë “JO” hapjes së dosjeve. Veç kësaj, në regjime ku liria dhe të drejtat themelore të qytetarit poshtërohen, çdo shprehje pakënaqësie merret si “politike” dhe “kundër shtetit”. Kjo dikur bëhej për ta futur shoqërinë në atë që Karel Kaplan e quan “psikologji e frikës”. Dikur kjo konceptohej si “faktor stabiliteti”.
Çështja që shtrohet është nëse ka njerëz të tillë edhe sot që operojnë me të njëjtat metoda, të cilët, nëse nuk mënjanohen nga pozicionet e rëndësishme shtetërore a politike, rrezikojnë të realizojnë në praktikë të njëjtën gjë, vetëm se kësaj radhe pjesë-pjesë, kadastër për kadastër, zyrë me zyrë, me parimin “Bëni si them unë, mos bëni siç bëj unë”. E di, e di, nuk mund të jemi të gjithë si “këmbët e dhisë”. Por, naivisht kam dhe unë një djall që më fryn në vesh: Po sikur dosjet e dikurshme të jenë në duart e mafies lokale dhe rajonale, e cila sponsorizon vendimmarrës dhe vendimmarrje bashkë? Nga del kjo para e madhe në shesh-qejfet e karrierës politike? Vërtet ka rëndësi të tregojmë sa marrim, por a nuk ka edhe më shumë rëndësi të tregojmë se sa harxhojmë?
I bie që edhe kjo të jetë një arsye që legjitimon hapjen e dosjeve. Në fund të fundit, lustracioni si proces nuk synon aq ndëshkimin e bashkëpunëtorëve të dikurshëm të regjimit komunist, se sa synon krijimin e një mentaliteti të ri, pra të transformimit të mendjes dhe zemrës, për të ndier dhe menduar ndryshe nga më parë. Sot, brenda respektit për të ndryshmen, marrjen dhe mbajtjen e përgjegjësive personale dhe ndihmën e ndërsjellë, për lirinë e të zgjedhurit, shanseve të barabarta, pluralizmit ekonomik, transparencës në procesin e vendimmarrjes, për tolerancën dhe mospërjashtimin, të gjitha këto në kushtet e ndarjes së pushteteve dhe lirisë së medias, si garanci për sa më sipër parashtrohet.
Përse harrojmë se kanë kaluar mbi 20 vjet nga ndryshimi i sistemit? “Skualifikimi për një pozicion zyrtar, bazuar mbi lustracionin, nuk mund të zgjasë më shumë se pesë vjet … dhe masat e lustracionit duhet të përfundojnë jo më vonë se 31 dhjetori 1999, pasi sistemi i ri demokratik, deri në atë moment do të jetë konsoliduar në të gjitha vendet ish-komuniste totalitare”, thuhej në orientimet e Asamblesë për zbatimin e rezolutave në fjalë. E po, ne të vonuar.
Shtrohet pyetja: Sa është përqindja e ish-zyrtarëve të lartë të dikurshëm, sot në shtetin demokratik? Sa është përqindja e hetuesve, prokurorëve apo gjyqtarëve të dikurshëm sot në drejtësinë demokratike? Sa dhe kush nga ata nuk ka qene i prirë të zbatojë parimin e mirënjohur të ligjit më të favorshëm? Sa kohë kanë ndenjur këta të fundit në “karantinë”, pra jashtë strukturave vendimmarrëse, praktikisht të mënjanuar e paragjykuar? Sa kanë bërë ata për rritjen profesionale dhe morale në kushtet e reja? Si është raporti i profesionalizmit dhe integritetit moral të të dikurshmëve, ende aktivë, me atë të tanishmëve, gjithashtu aktivë? Si rezultojnë dhe sa të justifikuara janë pasuritë e vëna nga ata dhe këta në ditët e sotme? A ka vend për dilemën “Më mirë një i ri i korruptuar, se sa dikush që ka shërbyer gjatë ish regjimit”?
Uff, u mërzita dhe vetë për këto pyetje pa përgjigje. Por jo, brenda e kanë, po ende si shtrigat e shtriganët: selam Salem! Këto dhe të tjera janë pyetje që lipset të kihen parasysh, sa herë nisim e mendojmë për të hapur një proces lustracioni apo dekomunistizimi. Më duket se në thelbin e vet është një proces administrativ (ik ti të vij unë, se nuk ka për të gjithë) dhe JO-penal. Tek kjo e fundit, gjithkush mund të ngrejë akuza individuale për persona konkretë dhe kjo mundësi ka qenë  e mbetet kahershëm prezente, pavarësisht se sa kanë mundur a kanë dashur ta përdorin.
Por edhe ky proces administrativ, sipas Asamblesë, zhvillohet rast pas rasti, çka nënkupton nevojën për aplikim individual dhe jo kolektiv të ligjeve të lustracionit. Shtuar këtu edhe të drejtën për t’u mbrojtur, prezumimin e pafajësisë, të drejtën për të apeluar në gjykatë, të gjitha këto tregojnë se qëllimi i proceseve të tilla lustrative nuk mund të jetë hakmarrja dhe ndëshkimi, por mbrojtja e vlerave demokratike, vlera që nuk janë a-priori pronë e antikomunistëve të vetëshpallur ose jo, as edhe e viktimave të dikurshme, të cilat, për hir të së vërtetës, nuk rezulton t’i ngopë revanshi eventual, por afirmimi i mirënjohjes dhe dëmshpërblimit për sakrificat dhe privacionet e pamerituara në regjimin e dikurshëm.
Por, Rezoluta 1096 e vitit 1996 u përsërit në një formë më të zgjeruar si Rezolute 1481, më 25 janar 2006. Ja përse: është inercia e metodave të vjetra të regjimit komunist, edhe në vende e shtete që kanë shpallur prej kohësh aspiratat e tyre për sistem demokratik; është dështimi i elitave drejtuese të një sërë shtetesh ish-komuniste për të instaluar sisteme vlerash njerëzore dhe të ekonomisë së tregut; është persistimi i modeleve oligarkike në një pjese të ish-Lindjes, pse jo edhe i metodave të shërbimeve sekrete, që kanë rikujtuar shëmbëlltyrën e Luftës së Ftohtë; është ushtrimi në mënyrë autarkike i detyrave, duke neglizhuar parimet e shtetit ligjor dhe transparencën e mirëqeverisjes, si e drejtë e njeriut. Janë këto dhe të tjera fenomene që kanë krijuar atë hendek mosbesimi të elitave europiane, të cilat, në një tentativë të tyre të radhës për të qetësuar veten dhe shpirtrat e lodhur, rikujtohen se akoma komunizmit nuk i qenka bërë gjyqi.
Gjithsesi, dekomunistizimi është një proces emancipimi, i cili nuk synon thjesht mënjanim fizik të individëve të veçantë, të cilët veprimin e tyre të dikurshëm e kanë të lidhur me të kaluarën. Përtej kësaj, ai synon instalimin e vlerave të reja, bartës të të cilave kuptohet që mund të jenë më pritshmërisht të rinjtë, por nga ky proces vetëpërsosjeje nuk mund të përjashtohet dhe diskriminohet askush.
Kështu më erdhi për të shkruar, teksa në duar kisha do rezoluta dhe dokumente ndërkombëtare. Korniza ligjore, infrastruktura, procedurat dhe mekanizmi për realizimin në praktikë të procesit të dekomunistizimit, qoftë përmes lustracionit, qoftë përmes juridiksionit administrativ apo penal, janë objekt i diskutimeve sa juridike, aq edhe politike. Më bëhet të besoj se edhe Amicus Curiae e Komisionit të Venecias, këto aspekte të ligjit synonte të ndriçonte paradokohe. Kërkesat e shtetit të së drejtës parashikojnë sa ligje materiale, që garantojnë të drejtat, aq edhe procedura me efekte praktike që nuk komprometojnë synimin e ligjvënësit, qëllimin dhe moralin e vetë ligjit. Djalli nuk digjet në zjarr.
Dikur në Salem, do shtriga kërcyen joturpshëm rreth zjarrit. Në zjarr dërguan jo “mëkatin”, por dëshmitarët e turpit të tyre. Çdokush ka Salemin e tij a të saj, në zyrë, semafor, në rrugë a politikë. Selam Salem!

© Panorama.al

Te lidhura