
Sherri për zonat pyjore në Lurë të Dibrës shkakton një viktimë dhe një të plagosur.Ngjarja interpretohet nga policia lokale si një “luftë sherifash”, pasi thuhet se të dy personat e përfshirë në konflikt kanë qenë të armatosur. Dëshmitarë që kanë mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes, sqaruan për grupin hetimor se rreth orës 14.00 të ditës së djeshme kanë dëgjuar pak kilometra mbi fshat krisma arme. Fillimisht është menduar se të shtënat janë realizuar nga ndonjë çoban. Mirëpo, ato kanë zgjuar kureshtjen e tyre dhe janë ngjitur shpejt në malin mbi Fushë-Lurë. Rrëzë pishave kanë gjetur të pajetë Nuri Kacën, 32 vjeç dhe Faslli Hotin, 30 vjeç, në gjendje kritike për jetën. Fillimisht, banorët kanë njoftuar punonjësin e rendit në komunë dhe më pas edhe Komisariatin e Policisë Dibër. Për Nuri Kacën nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi, ndërsa Hoti në gjendje kome, duke u transportuar për në Spitalin Ushtarak. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor dhe ka kryer hetimet e para. Policia njoftoi pas verifikimeve të para se vrasja është kryer për motive pronësie. “Që vitin e kaluar, Hoti dhe Kaca kanë pasur konflikte me njëri-tjetrin për lëndë drusore. Të dy ngrinin pretendime për parcela pyjesh mbi fshat. E njëjta situatë është përsëritur edhe dje. Dy personat janë ngjitur në mal dhe fillimisht kanë kërkuar që parcela ku prisnin pisha të mos prekej, deri në sqarimin e pronësisë. Të dy këta shtetas kanë qenë të armatosur. Askush nuk thotë me saktësi se cili ka shtënë me armë i pari, por Nuri Kaca është plagosur tri herë dhe ka vdekur në vend, ndërsa Faslli Hoti ka marrë dy plumba dhe po lufton me jetën në Spitalin Ushtarak. “Nga hetimet e para, rezulton se Kaca dhe Hoti kanë shtënë mbi njëri-tjetrin në të njëjtën kohë”, sqarojnë burime policore. Pas ngjarjes, policia tha se ka sekuestruar një armë automatike, kallashnikov, pronë e viktimës, ndërkohë që nuk është gjetur deri në mbrëmje arma e Hotit. Në shtëpinë e këtij të fundit, efektivat e policisë kanë gjetur një granatë luftarake. Mosgjetja e armës tjetër ka shtuar dyshimet e policisë se protagonistë të ngjarjes kriminale mund të jenë edhe persona të tjerë. Kryerja e hetimeve mendohet të zbardhë jo vetëm motivet e plota të ngjarjes, por edhe personat që shkaktuan ngjarjen e rëndë. Menjëherë pas ngjarjes, punonjës policie kanë marrë në mbrojtje familjen Hoti dhe po përpiqen të izolojnë konfliktin e armatosur. Nuk është hera e parë që në Lurë dhe zona të tjera malore vriten njerëz për motive pronësie, madje edhe për pyjet që njihen si pronë shtetërore. Sa i përket ngjarjes së fundit, pritet të përmirësohet gjendja shëndetësore e të plagosurit, në mënyrë që të mësohet e vërteta e momenteve kur një person humbi jetën.
DIBER/ HASAN PASHA











