“Lubi Balluku dhe Rama po manipulojnë dosjet dhe intimidojnë dëshmitarët!”- Berisha: Ai po përdor mandatet e vjedhura për të penguar drejtësinë!

Jan 3, 2026 | 14:29

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi ‘online’ me qytetarët sot, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku se po bëjnë gjithçka për të manipuluar dosjet dhe për të intimiduar dëshmitarët që lidhen me hetimet ndaj saj.

sali berisha (2)

Berisha theksoi se opozita mbështet zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës, duke nënvizuar se largimi i Ramës është kushti i domosdoshëm për funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

“Opozita mbështet zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës. Është shumë e vërtetë që Lubi Balluku dhe Edi Rama po bëjnë gjithçka për të manipuluar dosjet dhe për të intimiduar dëshmitarët. Ndaj dhe largimi i Edi Ramës nga pushteti është kushti i të gjitha kushteve për të patur, për të funksionuar shteti ligjor në Shqipëri”, tha Berisha.

Kryedemokrati paralajmëroi gjithashtu se koha po shkon drejt një përballjeje shumë të fuqishme, për të cilën opozita duhet të jetë e gatshme, pasi sipas tij, Rama po përdor mandatet e vjedhura dhe të rrëmbyera të qytetarëve shqiptarë për të bllokuar drejtësinë.

“Jam dakord me ju që duhen protesta, por mendoj se protestat duhet të jenë për Edi Ramën dhe vetëm dhe kryesisht për Edi Ramën, sepse është Edi Rama ai që bllokon, përdor mandatet e vjedhura dhe të rrëmbyera të qytetarëve shqiptarë për të bllokuar drejtësinë. Dhe koha po shkon drejt një përballje shumë të fuqishme, të cilën opozita duhet të jetë e gatshme”, tha ai.

Berisha nuk la pa përmendur situatën e emigracionit, ku theksoi se plani kryesor i opozitës do të jetë krijimi i mundësive që të rinjtë të ndërtojnë jetën dhe ëndrrat e tyre në Shqipëri.

“Pa diskutim që plani ynë kryesor do të jenë të rinjtë, krijimi i mundësive për ta për të ndërtuar ëndrrën e tyre në Shqipëri, jetën e tyre në Shqipëri. Kjo kërkon që të gjithë ne këtu të angazhohemi për largimin e Edi Ramës. Nuk ishte kjo situatë para vitit 2013. Referojuni të dhënave të Institutit të Statistikave.

Në Shqipëri, nga viti 2007 në vitin 2014, numri i popullatës u rrit nga viti në vit. Kurse nga viti 2014 gjer sot, vetëm të rinj kanë emigruar 720.000. Shqipëria është boshatisur”, deklaroi kreu i PD.

© Panorama.al

Te lidhura