Gjykata e Tiranës liroi dje nga arresti në paraburgim Ylli Hidrin, personin që akuzohet se qëlloi me armë zjarri kandidatin e Partisë Demokratike për Komunën Dajt në zgjedhjet e 8 majit.Autori i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e “Freskut” në kryeqytet, pas një debati me kandidatin e Partisë Demokratike për Komunën Dajt, Besim Kuka, është lënë i lirë dje nga Gjykata e Tiranës. Togat e zeza vlerësuan si të paligjshëm arrestimin e tij në kushtet e flagrancës. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për Ylli Hidrin, për akuzën e “kanosjes”. Sipas referimit të Prokurorisë në seancë, konflikti mes Ylli Hidrit dhe Besim Kukës, që përfundoi me një të shtënë arme, kishte lindur si pasojë e disa “batutave” me ironi mes të dyve. Gjatë seancës, përfaqësuesja e Prokurorisë pohoi se Hidri kishte qëlluar në ajër me një armë për të cilën zotëronte leje mbajtjeje. Në seancë u bë e ditur se arma nuk ishte sekuestruar në automjetin e Hidrit, por ishte dorëzuar më pas në polici nga një person tjetër. Vetë i akuzuari Hidri nuk shfaqi dje asnjë pretendim para gjyqtares së gatshme, Farije Budo.
NGJARJA
Sipas akt-akuzës së lexuar në seancë nga prokurorja e çështjes, rezultonte se gjithçka kishte ndodhur mbrëmjen e së premtes, pak pasi Besim Kuka kishte mbaruar një takim në zyrën elektorale të PD-së, në katin e dytë të një godine në fillimin e rrugës “Dalip Topi”, pranë zonës së “Freskut”. “Takimi ka zgjatur rreth 45 minuta. Në vijim shtetasi Besim Uka ka zbritur poshtë. Në rrugë ai ka parë Ylli Hidrin në drejtim të një automjeti, i cili ka ndaluar. Janë përshëndetur dhe kanë shkëmbyer fjalët ‘Ç’thuhet?’, ‘Si je?’ dhe fjalë të tjera më të rënda, të cilat janë thënë me ironi”, parashtroi dje përfaqësuesja e akuzës në seancë. Po sipas Prokurorisë, në vijim Besim Uka është afruar tek dera e mjetit të Ylli Hidrit. Po ashtu janë ofruar dhe disa militantë, mbështetës të tij. “Në këtë kohë, Ylli Hidri ka qëlluar njëherë me armë dhe më pas është larguar”, pretendoi prokurorja. Në vijim, ajo kërkoi vlerësimin e vlefshëm të arrestit të Kukës, ndërsa caktimin e masës “detyrim paraqitjeje” ndaj tij. ”Jemi dakord me kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë, por nuk jemi dakord për ligjshmërinë e arrestit në flagrancë. Klientit tim i është zënë rruga. Ndaj tij është ushtruar dhunë fizike. Klienti im nuk është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha avokati Ardian Leka. Avokati u shpreh se ishte dakord me kërkesën e Prokurorisë për kërkesën e llojit të masës së sigurisë, por se nuk pajtohej me kërkesën tjetër për ligjshmërinë e “arrestit në kushtet e flagrancës”. Në përfundim, gjyqtarja Budo vendosi vlerësimin e paligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim Ylli Hidri dhe caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” ndaj tij.
Autori i ngjarjes, pronar i linjës së autobusëve të Dajtit
Ylli Hidri u arrestua mbrëmjen e së premtes, pasi u përfshi në një konflikt me kandidatin e PD-së për Komunën Dajt. Gjatë grindjes verbale ai shkrehu një armë “shotgun” që mbante me vete. Sipas policisë së Tiranës, arrestimi i Hidrit është kryer për shkak se ai ka ”qëlluar me armë gjahu në ajër, si dhe më pas ka kanosur, për motive kandidimi, shtetasin Besim Kuka, 47 vjeç, kandidat për kryetar të Komunës Dajt, subjekti PD”. Incidenti ndodhi pasi kandidati demokrat Besim Uka kishte zhvilluar një takim me simpatizantët e tij në shtabin elektoral të Partisë Demokratike. Pasi ka dalë nga mbledhja, kandidati i PD në Komunën Dajt është përballur me pronarin e linjës së autobusëve të zonës, me të cilin ka këmbyer batuta “ironike” në distancë e më pas edhe sharje e fyerje.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











