Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka reaguar pas aksidentit tragjik në Durrës, ku një drejtues mjeti në gjendje të dehur përplasi tre fëmijë në trotuar, duke shkaktuar vdekjen e dy prej tyre dhe plagosjen e një tjetri.
Me anë të një postimi në Facebook, Halimi e cilësoi ngjarjen si tronditëse dhe theksoi nevojën për zbatim të rreptë të ligjeve, duke nënvizuar se mungesa e ndëshkimit efektiv mbetet një problem serioz.
Ai kujtoi se në vitin 2013 u miratua paketa e ashpërsuar penale, e cila solli ndryshime të rëndësishme në Kodi Penal i Shqipërisë.
Sipas tij, ndryshimet përfshinin ashpërsimin e nenit 290, që parashikon deri në 20 vite burg për rastet kur nga shkeljet rrugore shkaktohet vdekja apo plagosja e disa personave, si dhe nenit 291 për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, i cili parashikonte deri në 3 vite burgim.
Megjithatë, Halimi theksoi se një vit më vonë, neni 291 u zbut pjesërisht duke u rikthyer në gjobë, çka sipas tij mund të ketë ndikuar në uljen e efektit parandalues.
“Nëse ai zbutje nuk do të ishte bërë, një recidivist i dehur mund të ishte dje në burg, jo në timon. Ndoshta ky aksident do të ishte parandaluar, ndoshta jo.
Por detyra jonë kur jemi në politikë është të krijojmë ligje që ulin mundësinë e tragjedive të tilla. Megjithatë, edhe ligji më i ashpër pa zbatim mbetet vetëm letër”, shkruan Halimi.
Reagimi i Halimit
Dy fëmijë të vrarë nga një i dehur në Durrës: Ligjet e ashpërsuara në Kodi Penal duhen zbatuar pa mëshirë!
Një aksident i tmerrshëm në Durrës na tronditi të gjithëve!
Dje, një person i dehur në timon goditi tre fëmijë të pafajshëm në trotuar. Rezultati: dy fëmijë të vdekur dhe një tjetër në gjendje të rëndë (fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën sipas lajmeve të fundit).
Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen e prindërve.
Edhe pse prej 9 vitesh nuk jam në politikën aktive, si prind dhe si ish-ministër i Drejtësisë ndihem i detyruar të flas. Kam qenë dhe mbetem kritik ndaj mosndëshkimit të atyre që vrasin pas timonit.
Në vitin 2013 propozova dhe arritëm të miratojmë mes shumë debateve paketën e ashpër penale, Ligji nr. 144/2013, i cili solli ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal:
🛑Neni 290 – Për autorë si ai i djeshëm që shkaktojnë vdekje ose plagosje të rëndë të disa personave, dënimi u ngrit deri në 20 vjet burgim (aq sa për vrasje me armë). Minimumi 5 vjet bën dallimin.
🛑 Neni 291 – Drejtimi në gjendje të dehur u ashpërsua deri në 3 vjet burgim.
❗️Fatkeqësisht, vetëm një vit më vonë (Ligji 98/2014), neni 291 u zbut pjesërisht dhe u kthye te gjoba.
Nëse ai zbutje nuk do të ishte bërë, një recidivist i dehur mund të ishte dje në burg, jo në timon. Ndoshta ky aksident do të ishte parandaluar, ndoshta jo.
Por detyra jonë kur jemi në politikë është të krijojmë ligje që ulin mundësinë e tragjedive të tilla. Megjithatë, edhe ligji më i ashpër pa zbatim mbetet vetëm letër.
Efekti parandalues vjen nga zbatimi strikt, monitorimi i vazhdueshëm, sensibilizimi dhe ndëshkimi shembullor pa kompromis.
Bashkëngjitur postimit janë faqet zyrtare të Ligjit 144/2013 dhe ai i ndryshuar 98/2014
Ngushëllime të thella prindërve të dy engjëjve të humbur.
Shërim të plotë e të shpejtë për fëmijën e plagosur.
Drejtësi e plotë dhe ndëshkim maksimal për autorin.
Zero tolerancë ndaj atyre që vrasin pas timonit të dehur!
© Panorama.al












