“Asnjë bedel apo dikush që përdor pushtetin s’më ndal dot!” – Spiropali: Njerëzit në rrugë janë të papërfaqësuar! Po ti Sali e ke fuqinë të demokratizosh partinë e të çlirosh opozitën?

Jul 23, 2026 | 13:37

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali mori fjalën në Kuvend duke dhënë një përgjigje ndaj atyre, që sipas saj, i kanë përmendur emrin në lidhje me qëndrimet kritike që ka mbajtur ndaj kryeministrit Edi Rama.

elisa

Spiropali theksoi se si para protestës, ashtu edhe gjatë saj, ka ngritur nevojën për reformimin e pushtetit, vetëkorrigjimin dhe kalimin nga një sistem i personalizimit të pushtetit drejt forcimit të institucioneve.

Ajo u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment historik që kërkon më shumë demokratizim, luftë kundër korrupsionit, vetëpastrim politik dhe një administratë më funksionale. Sipas saj, është i domosdoshëm edhe ndryshimi i sistemit politik dhe zgjedhor, pasi modeli aktual nuk garanton më përfaqësim për qytetarët.

Replikën e kam me disa deputetë këtu që dëgjoj se a kanë përmendur emrin si një shembull të një politikani të sulmuar për shkak të qëndrimeve të saj. Dua të them se edhe përpara protestës edhe gjatë saj, unë kam folur për reformimin e pushtetit, nevojën për vetëkorrigjim, për të kaluar nga sistemi i personalizimit ekstrem të pushtetit te sistemi i institucioneve, për vetëpastrim, për luftë kundër korrupsionit, për administratën, për nevojën për të kuptuar se ky është një moment historik që ndan një epokë nga një tjetër sa i takon demokratizimit të mëtejshëm të Shqipërisë.

Kam folur për më shumë përfaqësim brenda partive politike dhe në sistemin politik, për nevojën për ta ndryshuar këtë sistem politik dhe zgjedhor që ka prodhuar një banalitet sot. Nuk ka qenë kështu atëherë kur marrëveshja është firmosur. Ka prodhuar stabilitet por sot nuk prodhon më asgjë sepse njerëzit janë të papërfaqësuar dhe janë në rrugë. Kam folur për institucione shtetërore që përdoren kundë njërit dhe tjetrit me besimin se kemi fuqinë për ta ndryshuar.”, tha ajo.

Deputetja socialiste iu drejtua më pas edhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha me pyetjen nëse e ka fuqinë që të demokratizojë partinë e tij.

“Po ti Klevis, Jorida, Tomor, Belind e të gjithë, madje edhe ti Sali. Doktor e ke fuqinë të hapësh rrugën dhe të demokratizosh edhe partinë tënde dhe ta çlirosh opozitën. A e ke fuqinë të bëhesh pjesë e një ndryshimi që s’i takon një partie por të gjithëve. Kam besimin se PS e ka këtë fuqinë dhe asnjë nga sulmet, asnjë lloj bedeli politik të njërit apo tjetrit nuk më ndal dot te kjo se nuk kam asgjë për të fshehur. Asnjë njeri që përdor pushtetin dhe që mendon se në emër të njërës apo tjetrës mund të dëmtojë politikisht, familjarisht dhe njerëzisht dikë nuk do t’ia dalë se do të hiqet si apandisit nga kjo shumicë dhe politika”, tha Spiropali.

© Panorama.al

Te lidhura