“Shqipëria është pa bukë! Kaloni Dajtin do t’ju kujtohet Luli Vocërr!”-Tomor Alizoti ngre tonet në Kuvend: Keni vjedhur gjysmën e shqiptarëve! Nëse e kemi bërë hak, futi brenda të gjithë të na qëllojnë me vezë!

Jul 23, 2026 | 14:30

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka reaguar ashpër në Kuvend për përplasjet mes policisë dhe protestuesve gjatë tubimit para Parlamentit, duke akuzuar qeverinë se po përdor forcën ndaj qytetarëve për të mbrojtur, sipas tij, “sharmin e deputetëve”.

Alizoti përmendi rastin e një protestuesi që u dërgua në spital pasi u ndje keq dhe u rrëzua duke përplasur kokën.

“Shpresoj mos të jetë e vërtetë, një protestues është në koma. E gjithë kjo dhunë për të mbrojtur identitetin dhe sharmin e deputetëve”, u shpreh ai.

Në fund, Alizoti iu rikthye edhe çështjes së hedhjes së vezëve gjatë protestës, duke thënë se “nëse e kemi bërë hak, futi brenda të gjithë të na qëllojnë me vezë!”.

Tomor Alizoti: Zoti Peleshi, në radhë të parë, 30 pikat që keni sjellë ju janë absurde. Nuk është ndonjë nder që i bëni dikujt që të flasë në Parlament. Njerëzit janë të mërzitur me Parlamentin dhe kanë të drejtë, sepse këtu ka vetëm teatër.

Keni arrestuar dje një nënë me fëmijë, ndërkohë që banda e Elbasanit, banda e Durrësit kontrollojnë të gjithë sistemin elektoral, kontrollojnë të gjithë Shqipërinë. Dhe, shpresoj mos të jetë e vërtetë, një protestues është në koma. E gjithë kjo dhunë për të mbrojtur identitetin dhe sharmin e deputetëve.

Le t’ju gjuajnë me vezë të gjithëve, nëse jeni bërë për vezë. Parlamenti përfaqëson popullin shqiptar, ku gjysma janë në rrugët e botës, ndërsa pjesa tjetër ka humbur gjysmën e pasurisë.

Ju dilni këtu dhe na thoni se keni fituar. Çfarë keni fituar ju? Shqiptarët janë nëpër botë për të punuar; nuk lajnë dot pleqtë e tyre, por lajnë pleqtë e botës. Unë nuk e kuptoj se çfarë është gjithë kjo krenari. Krenari është të mbash një samit? S’është krenari samiti. Shqipëria është pa bukë! Kaloni Dajtin do ju kujtohet Luli vocerr!

Nëse e kemi bërë hak, futi brenda të gjithë të na qëllojnë me vezë!

© Panorama.al

Te lidhura