Libia, vendet e NATO-s nuk gjejnë unitet

Apr 15, 2011 | 10:43
rebelet ne bengazi kane marre tankun e forcave te gedafit pas nderhyrjes se suksesshme te koalicionit perendimor

Komuniteti ndërkombëtar nuk ka gjetur një gjuhë të përbashkët se si t’i përgjigjet luftës në Libi, ndërsa rebelët kërkojnë nga NATO më shumë sulme dhe bombardime, ndërsa aleanca thotë se po përdor të gjitha mjetet e nevojshme për ta kryer misionin me sukses. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmuen, tha se “Jemi të angazhuar të ofrojmë të gjitha burimet e nevojshme dhe maksimumin e fleksibilitetit operacional që na lejon mandati. Do të ruhet një ritëm i lartë i operacioneve legjitime për aq kohë sa duhet”. Ai shtoi se Aleanca ka nevojë për më shumë avionë. Por vendete e NATO-s janë të ndara për misionin në Libi. Vetëm gjashtë prej anëtarëve të aleancës: Franca, Kanadaja, Britania, Danimarka, Norvegjia dhe Belgjika po marrin pjesë në sulmet kundër Gedafit. Por deri tani nuk kanë arritur të ndryshojnë balancën në favor të rebelëve. Rebelët kanë kërkuar armë nga komuniteti ndërkombëtar për të luftuar me forcat e Gedafit, por Franca dhe Britania e kanë kundërshtuar këtë ide. Ndërsa ka raportime se kanë mbërritur furnizimet e para me armë nga Katari. Ky vend në mënyrë sekrete po furnizon me armë anti-tank rebelët libianë si pjese e strategjisë për të përmbysur regjimin e Gedafit. Zyrtarët në Doha, kryeqyteti i Katarit, kanë konfirmuar se ushtria e vendit ka dërguar me anije raketa të prodhimit francez “Milan” në qendrën e rebelëve, Benghazi. Kryeministri i Katarit, Sheikh Hamad bin Jasem, e bëri të qartë të mërkurën, se rezoluta e OKB-së mbi Libinë lejonte furnizimin me “armë mbrojtëse” për opozitën, që të luftonte ushtrinë. Ndërkohë, gjatë samitit të NATO-s në Berlin, sulmet e aleancës janë intensifikuar edhe mbi Tripoli. Thuhet se ka pasur bombardime edhe mbi rezidencën e Muamar Gedafit. Sulmi i NATO-s erdhi pasi forcat e Muamar Gedafit bombarduan portin në Misrata, ku ende po vazhdojnë luftimet. Sulmet në port janë kryer për të penguar që të mbërrijnë anijet me ndihma humanitare, për të cilat besnikët e kolonelit besojnë se mund të ketë edhe armë.

© Panorama.al

Te lidhura