Turqia ka nisur një sulm të hidhur mbi Presidentin francez, Nikolas Sarkozi dhe lidershipin e Francës mbi fushatën ushtarake kundër liderit libian Muamar Gedaf, duke i akuzuar francezët për mungesë ndërgjegjeje në sjelljen e tyre në operacionet libiane.Kritikat e ashpra turke kanë ardhur nga kryeministri Rexhep Tayip Erdogan dhe nga presidenti Abdullah Gyl, të cilat treguan qartë se Turqia nuk do t’i mbështesë planet e Francës për të marrë timonin e misionit. Franca këmbëngul se NATO-ja nuk duhet të ngarkohet me anën politike të mandatit të OKB-së për fushatën në Libi. Kjo e bën Turqinë të vetmen që mbështet kontrollin e plotë të NATO-s. Dhe fitoi.
Konflikti mes dy vendeve u rrit pasi Franca konfirmoi se një nga avionët e saj ka shkatërruar një avion të forcave ajrore libiane, i cili kishte kryer thyerjen e parë qëkur u vendos ndalim-fluturimi më 19 mars. Avioni ishte shkatërruar nga një raketë sapo ai po ulej pranë Misratës. Fërkimet mes Erdoganit dhe Sarkozisë, të dy liderë me temperament të fortë, kanë ndodhur edhe më herët, nga debatet themelore për anëtarësimin e Turqisë në BE dhe nga interesat ekonomike në Afrikën Veriore. Duke përdorur një ton të flaktë, Erdogan tha se “dëshiroj që ata të cilët shikojnë vetëm naftë, miniera ari dhe thesare të nëndheshme kur shikojnë Libinë, të arrijnë të shohin nëpërmjet lentes së ndërgjegjes tani e tutje”.
Në fillim të javës, ministri i Brendshëm francez, Klod Gueant, i cili ka qenë më parë kryekëshilltar i Sarkozisë, ka irrituar botën islame duke deklaruar se Presidenti francez po “drejtonte një kryqëzatë” për të ndaluar Gedafin të masakronte libianët. Por, menjëherë ka ardhur reagimi i Erdoganit, i cili denoncoi përdorimin e fjalës “kryqëzatë” duke i fajësuar ata, kreun francez para së gjithash, se po pengojnë bashkimin e Turqisë me BE-në. Franca nuk e ftoi Turqinë në samitin e fundit të së shtunës së kaluar në Paris për të diskutuar mbi bombardimet. Qeveria turke e akuzoi Sarkozinë se nuk po nis vetëm fushatën e zonës së ndalim-fluturimit, por edhe fushatën e rizgjedhjes presidenciale. Analistët në “The Guardian” kanë komentuar se debati ka kaluar edhe në plan personal, duke shfaqur hapur marrëdhëniet e ftohta mes dy liderëve. Sarkozi ka shkuar në Turqi muajin e kaluar, hera e parë gjatë katër viteve që ai është president. Por vizita u shty aq shpesh, sa e degradoi rëndësinë. Në fund ai qëndroi vetëm 5 orë në Turqi. “Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Francës meritojnë më shumë se kaq”, tha dje Erdogan. “Unë do të flas hapur. Ne duam ta ftojmë atë si President i Francës, por ai vjen vetëm si President i G20-s”, shtoi ai. Zyrtarë të lartë të NATO-s u takuan dje në Bruksel për të katërtën ditë radhazi, për të arritur marrëveshje mbi drejtimin e misionit. Franca kërkonte që NATO të ketë vetëm komandën ushtarake të operacionit dhe nuk do t’ia kalojë Aleancës kontrollin strategjik e politik. Por Turqia kërkonte që NATO të ketë komandën e vetme në Libi. Turqia është forca e dytë më e madhe ushtarake brenda NATO-s dhe i vetmi vend islamik anëtar. Ky vend kërkon të shkurtojë fushatën ajrore dhe të ndalojë sulmet tokësore në Libisë. Tani që NATO mori komandën e plotë, Turqia mund të ushtrojë të drejtën e vetos për operacionet bombarduese.
Ministri francez paralajmëron dhe Sirinë e Arabinë Saudite
Ministri i Jashtëm francez tha se ndërhyrja ndërkombëtare kundër liderit libian, Muamar Gedaf, mund të zgjasë disa ditë apo javë, por jo muaj. Alain Juppe tha gjithashtu se ai shpreson që fushata në Libi të shërbejë edhe si paralajmërim për regjimet autokratike në vende të tjera, si në Siri apo në Arabinë Saudite. Juppe ka folur me reporterët të enjten, përpara takimeve të BE-së dhe NATO-s, të cilat pritet të diskutojnë se si ta koordinojnë më mirë fushatën e bombardimeve në Libi.
Thirrja e Berluskonit
Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, i bëri thirrje liderit libian, Muamar Gedaf, t’i japë fund sulmeve dhe të ulet në negociata. “Fundi i sulmeve nga ana e kolonelit është kushti parësor për çdo ndërmjetësim. Më pas hapet faza e diplomacisë. Italia nuk ka hyrë në luftë dhe nuk do të hyjë”, tha ai për “Corriere Della Sera”.
Hague: Misioni ka mbështetje të gjerë
Ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hague, tha se Britania deri tani ka kryer 59 misione ajrore dhe goditje raketash në Libi. Ai ka këmbëngulur që misioni ka mbështetje të gjerë ndërkombëtare. I pyetur mbi embargon e armëve, që prek interesat e të dyja palëve, ai tha se situata po vëzhgohet dhe çfarëdo vendimi të merret, do të jetë në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Hague shtoi se shpreson që çështja e kalimit të komandës te NATO-ja të zgjidhet sa më shpejt.
Merkel: Embargo totale të naftës në Libi
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka kërkuar një embargo totale të naftës libiane, përveç sanksioneve për kufizime të ndjeshme të tregtisë së këtij vendi. “Shpresoj që në fund do të gjejmë një qëndrim të përbashkët mbi këtë çështje”, tha Merkel. Deklaratat e saj janë bërë gjatë një fjalimi në Bundestagun gjerman, duke iu referuar Këshillit të Europës në Bruksel. Gjermania këmbëngul vetëm për sanksione tregtare ndaj Libisë, pasi abstenoi në votimin e rezolutës së ndërhyrjes ushtarake.
Gedafi organizon funeralin e “viktimave të bombardimeve”
Të enjten, pas natës së pestë të bombardimeve nga avionët luftarakë të koalicionit, libianët janë mbledhur në një varrezë në bregdet, në Tripoli, për funeralin e 33 njerëzve, për të cilët qeveria libiane e Gedafit thotë se janë viktima të bombardimeve. Televizioni shtetëror libian e ka transmetuar ceremoninë e funeralit drejtpërdrejt, me komentet se ata ishin viktima të “agresionit të kryqëzatës koloniale”. Një zyrtar libian më parë ishte shprehur se avionët e koalicionit kanë goditur rrethinat e Tajurës dhe televizioni shtetëror transmetoi pamje të zjarrit, makinave të “thërrmuara” dhe trupa të vdekur. Sipas CNN-it, Gedafi hodhi një mesazh të fortë: “Njerëz të pafajshëm janë vrarë gabimisht dhe populli libian do të luftojë për këtë”. Zyrtarisht, forcat e koalicionit nuk kanë raportuar viktima civile dhe thanë se avionët perëndimorë kanë hedhur bomba vetëm mbi shënjestrat ushtarake. Por ndërkohë që akuzon Perëndimin, sulmet e Gedafit në qytetet në duart e rebelëve nuk kanë reshtur asnjë çast. Tanket e tij janë kthyer serish në Misrata dhe snajperët qëllojnë pa pushim në Ajdaybia, ku raportohen dhjetëra të vdekur. Rebelët thonë se kur ata i kanë nën shënjestër, skuadrat e Gedafit ngrenë flamurin e bardhë, por kur rebelët afrohen, ata qëllojnë në befasi.
© Panorama.al











