Rebelët në Libi kanë marrë kontrollin e vijës kufitare me Tunizinë, pas përleshjeve të ashpra me forcat e Gedafit, të cilat, sipas dëshmitarëve, më pas janë dorëzuar. Televizioni shtetëror tunizian raportoi se 13 ushtarë libianë përfshirë një kolonel dhe një komandant, kanë kaluar në tokën tuniziane ku janë ndaluar. Shumë agjenci me korrespondentë në terren njoftojnë se rreth 100 ushtarë besnikë të liderit libian, Muamar Gedafi, janë dorëzuar në territorin tunizian. Kufiri shkretëtirë është rreth 240 kilometra larg Tripolit. Forcat qeveritare kanë ende kontrollin e pikës kryesore kalimtare të kufirit në veri. Ndërkohë, raportohet se luftime të ashpra kanë vazhduar në Misrata. Ka raportime se është qëlluar me mortarë. Sipas televizionit shtetëror në tritoli, NATO ka bombarduar gjatë mbrëmjes mbi Tripoli duke vrarë shtatë civilë dhe duke plagosur 18 të tjerë. Por NATO mohoi të ketë kryer bombardime mbi Tripolin, por vetëm në një qendër ushtarake jashtë qytetit, ku nuk mund të ketë pasur civilë. Avionët e koalicionit kanë goditur edhe Bir Al Ganam, 50 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, ku kanë humbur jetën 4 persona. Një komandant i NATO-s më parë ka paralajmëruar civilët në Libi që të qëndrojnë larg forcave pro-qeveritare në mënyrë që bombardimet e NATO-s të jenë më efektive. Ndërkohë, televizioni shtetëror në Libi ka publikuar deklaratën e Ministrisë së Jashtme në Tripoli, ku paralajmërohet Italia, Britania e Madhe dhe Franca mbi dërgimin e këshilltarëve ushtarakë për rebelët. “Këto vende duhet të kenë kujdes nga pasojat e një vendimi të tillë”, thuhet në komunikatë. Vetëm pak momente pas këtij njoftimi, një lider fetar mysliman i ka përkufizuar si “shtete kryqëzate” tre vendet perëndimore.











