Libi, numri i viktimave mund të ketë arritur në 30 mijë

Apr 29, 2011 | 10:22

Dhuna në Libi vazhdon dhe numri i viktimave nuk është shumë i qartë, ku qeveria libiane nuk ka bërë më deklarata, ndërsa rebelët thonë se numri i viktimave i ka kaluar 10 mijë veta. Por, deklarata më shokueses për këtë vlerësim ishte nga ambasadori amerikan, i cili tha se numri i të vrarëve mund të ketë arritur deri në 30 mijë. Qeveria amerikane e ka pranuar se bilanci i konfliktit nuk është i saktë. “Numri i viktimave civile është 10-30 mijë”, tha nga Uashington ambasadori në Tripoli, Gene Cretz.
Ka pasur raportime se janë kryer luftime edhe në territorin e Tunizisë, mes rebelëve libianë dhe forcave besnike të Gedafit. Sipas korrespondentëve të huaj në terren, besnikët e Gedafit kanë sulmuar rebelët në pikën kufitare e Dehiba-Uazin, të cilën e kishin humbur pak ditë më parë, duke e marrë sërish kontrollin e saj. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se do të dërgojë një grup hetimor për të hetuar mbi akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut.
Ndërkohë, në Jemen, forcat e sigurisë kanë hapur zjarr ndaj manifestuesve në kryeqytetin Sanaa. Mediat raportojnë të paktën nëntë të vdekur. Sipas BBC-së, mbi 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur, shumë në gjendje të rëndë. Dhunë u shtua një ditë pas publikimit të marrëveshjes mes opozitës dhe presidentit Saleh, ku shkruhet se ai do të heqë dorë nga pushteti brenda 30 ditëve, duke gëzuar imunitet të plotë për veten, familjen e tij dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë. Protestat e djeshme kërkonin rrëzimin e kësaj marrëveshje. Që nga janari, kur filluan protestat antiqeveritare në Jemen, janë shënuar rreth 130 të vdekur. Edhe në Siri vazhdon dhuna. Pas vrasjeve masive çdo ditë, rreth 200 anëtarë të partisë “Baath”, të presidentit Bashar al Asad. janë larguar prej saj.

Libia, s’ka takim në KS

Rusia nuk e ka pranuar kërkesën e Tripolit për të mbajtur një mbledhje emergjente në Këshillin e Sigurimit, pas kritikave të Moskës mbi operacionin e NATO-s. Funksionarë të Ministrisë së Jashtme ruse thanë se kryeministri Vladimir Putin i ka akuzuar forcat e Aleancës se kanë shkuar përtej mandatit të OKB-së për të mbrojtur civilët në Libi me sulmet e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura