LEZHE – Policia e Lezhës arreston në flagrancë një 17-vjeçar, i akuzuar për grabitjen e një pike karburanti. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së enjtes, kur shtetasi S. M., i punësuar si roje nate, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka kryer vjedhjen me dhunë të xhiros së pikës së karburantit buzë superstradës Laç – Fushë-Krujë. Duke e kërcënuar me një pushkë model 56, dy autorët kanë mundur t’i rrëmbejnë punonjësit të karburantit një shumë prej 30 mijë lekësh dhe telefonin celular të tij. Menjëherë pas ngjarjes i dëmtuari ka kryer denoncim dhe në bazë të karakteristikave fizike është arritur të ndalohet adoleshenti. Policia, pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij, gjeti armën e zjarrit. Pritet që pas marrjes në pyetje të zbardhet dhe identiteti i bashkëpunëtorit në grabitje.











