Kreu i PD, Sali Berisha akuzoi mazhorancën per korrupsion dhe abuzime, ndërsa theksoi se “po u vjen fundi”. Ai përmendi laptopin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, duke thene se ia ka marrë prokuroria.
Ish kryeministri kërkoi praninë e kryeministrit Edi Rama në Parlament, ndërsa theksoi se ai nuk vjen sepse e tmerrojnë dy dosje, “McGonigal” dhe laptopi i Agaçit.
“A e kuptoni ju që keni në krye një njeri që korruptoi shefin e kryeinteligjencës së SHBA? Dhe një nga ata që bëri gjahun e shtrigave ndaj presidentit Donald Trump. Çfarë mendoni ju se do mbyllet ajo siç u mbyll? Jo, absolutisht ajo dosje nuk mbyllet”, tha Berisha.
Berisha: Po u vjen fundi nga njeriu që nuk guxon të vijë më në parlament. Nuk guxon të shkelë më në parlament. Që është bërë i shkallmuar me një gjuhë me të cilën meriton çdo epitet. Me një gjuhë të denjë… nuk e prish gojën unë, por një gjuhë qenefi. Sa herë flet, vetëm gjëra të tilla nxjerr. Atëherë pse nuk vjen ai këtu? Pse nuk vjen?
Dy arsye madhore janë që nuk vjen dot. Së pari, ku është Sekretari juaj i Përgjithshëm i kryeministrisë? Ku është Agaçio që dhuron edhe 30 hektarë? Ku e keni?
A keni përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë kur Sekretari i Përgjithshëm ia mbath dhe i mashtroni e thoni se është në spital? Madje një ditë kur unë thashë se është arratisur, përhapni thashethemin se është në intubim. Të gjithë ju këtë rrugë do ndiqni? Arratinë do ndiqni?
Tani, e dyta, laptopi është në prokurori. Ta dini mirë. Jeni të pashpresë. Laptopi është në prokurori. Prandaj thirreni më mirë të vijë se sa t’u nxjerrë laptopi një nga një ju. Laptopi ka të gjitha vjedhjet e tmerrshme që ka bërë Edi Rama me grupin e tij.
Problemi i dytë i madh i dezekulibrimit të tij është dosja McGonigal. Ajo po shpërthen. Damian, unë e di që ke thënë se të ka urdhëruar Edi Rama, por ka një ligj që thotë, urdhrat e paligjshëm mos i zbato. Prandaj mos kujto se je krejt mënjanë ti. Absolutisht jo. Edhe mbrëmë të doli emri, një ministër e shoqëronte.
A e kuptoni ju që keni në krye një njeri që korruptoi shefin e kryeinteligjencës së SHBA? Dhe një nga ata që bëri gjahun e shtrigave ndaj presidentit Donald Trump. Çfarë mendoni ju se do mbyllet ajo siç u mbyll? Jo, absolutisht ajo dosje nuk mbyllet.
Damian, shko ku të duash, edhe në malin Atos po të shkosh, dëshmitar do të thirresh për Edi Ramën sepse është akti më flagrant i korrupsionit. I ka dhënë 225 mijë dollarë nga zyra e tij.
Ato nuk ia ke dhënë ti, nuk them se ia ke dhënë ti. Por, po të pasur dijeni, ke dijeni të plotë për çdo gjë. Ndaj të garantoj se dëshmitarin e ke të sigurt, mos edhe më shumë. Më mirë pentito.
© Panorama.al











