Ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit Belere Plaka, gruaja e cila u plagos nga ish-dhëndri i saj, 35-vjeçari Refit Buzi, i cili ditën e sotme vrau ish-vjehrrin, Kosta Plaku dhe mori peng ish-të fejuarën e tij në Rroskovec.

Po ashtu, pas rreth 8 orësh rezistencë, 35-vjeçari i dha fund jetës së tij në makinë me armë gjahu, pasi refuzoi të dorëzohet te forcat RENEA.
Ndërkohë, burime nga DVP Fier bëjnë me dije se ish-partnerja e Refit Buzit, Rozalinda Plaku, ka lënë ambientet e spitalit dhe është marrë në pyetje nga policia.
Roskovec, Fier/Informacion shtesë
Në vijim të informacioneve paraprake të dhëna për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ju informojmë se shtetasja B. P., 51 vjeçe, e cila ishte plagosur me armë gjahu nga shtetasi R. B., 35 vjeç, ka humbur jetën në spital, si pasojë e dëmtimeve të marra.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet procedurale dhe hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit.
Sipas tyre, gjatë periudhës së bashkëjetesës, që ka zgjatur rreth 9 vite, djali i tyre i kishte dërguar para 24-vjeçares, ndërsa pas ndarjes i kishte kërkuar kthimin e tyre. Prindërit pretendojnë se familja e vajzës nuk ka pranuar t’ia kthejë shumën, çka, sipas tyre, ka çuar në përshkallëzimin e konfliktit.
Babai i autorit thotë se bëhet fjalë për rreth 180 mijë paund, ndërsa nëna shton se paratë i janë marrë vajzës nga familjarët e saj. “Djali ia dërgonte paratë Rozalindës. Diskutohet për 180 mijë paund”, u shpreh babai i autorit.
Sipas burimeve, 35-vjeçari ka përdorur edhe identitetin Nertil Buzi dhe ka jetuar për një periudhë në Angli. Ai rezulton se në vitin 2022 është mbajtur peng për 12 ditë në Angli, ku familjes së tij i është kërkuar një shumë prej 400 mijë paundësh. Policia po heton ngjarjen në dy pista kryesore konfliktin për paratë e dërguara nga jashtë dhe mospranimin e ndarjes nga ana e autorit.
© Panorama.al












