Golat e Bogdanit me Çezenën në Serie A dhe të Salihit me Rapidin në kampionatin austriak kanë gëzuar pa masë trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe. Trajneri nuk ka fshehur kënaqësinë e tij për formën e mirë që po kalojnë dy lojtarët e tij kryesorë. “Jam i kënaqur me formën e sulmuesve të mi. Shpresoj se do të vazhdojnë të shënojnë gola për klubet e tyre. Golat e tyre e bën të frikshme Kombëtaren shqiptare përballë kombëtareve të tjera”, ka pohuar Kuzhe në mediat kroate. Me golin ndaj Barit, Bogdani arriti në kuotën e 39 golave në këtë kampionat (gjatë gjithë karrierës), ndërsa Salihi ka kapur shifrën e 50 golave në Austri dhe 15 këtë kampionat, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë i Bundesligës austriake. Përveç dy sulmuesve kryesorë, emrin në listën e shënuesve e shënoi edhe Ledian Memushaj, mesfushori i Portogruaros, që shënoi një gol barazimi për skuadrën e tij, ku ndodhet i huazuar nga Kievo e Veronës. Shqiptari hyri në lojë në pjesën e dytë dhe shënoi vetëm 3 minuta më vonë, duke barazuar rezultatin, por një barazim që nuk bëri punë, pasi Portogruaro u mund 1-2 në fushën e vet nga Triestina dhe rrezikon të bjerë në kategorinë e tretë.











