Dje pasdite, ekipi ynë përfaqësues realizoi tjetër stërvitje në “Niko Dovana”, në Durrës. Stërvitja në esencë nuk ndryshonte me atë të ditës së mërkurë: një nxemje 25-minutëshe dhe më tej lojë me dy porta. Të mërkurën kroati kishte vendosur në mbrojtje katërshen: Lila, Cana, Teli dhe Vangjeli. Në mesin e fushës rreshtoi katërshen tjetër me Lalën, Skelën, Bulkun dhe Agollin. Salihi ishte i vetëm në sulm. Ndërsa dje, mbrojtja ishte me tri veta: Lila, Cana dhe Vangjeli, duke kaluar Telin në ekipin me të verdha. Kjo prishje e katërshes në mbrojtje u bë me qëllimin e vetëm që të krijohej dyshja sulmuese: Bogdani-Salihi. Beqaj ruante portën me dimensione të rregullta dhe Teli ishte vendosur, jo pa qëllim, në qendër të mbrojtjes. Pra duket se të fshehtat e formacionit filluan të ravijëzohen qartë. Beqaj do të provonte aftësitë e tij përballë dyshes definitive të sulmit, Bogdani-Salihi. Testimi vlente edhe për Telin, i cili nuk të lë asnjë dyshim për t’u vendosur në qendër të mbrojtjes, përkrah Canës.
Mëdyshja – Tekniku i përfaqësueses nuk ndjehet i qetë dhe e mundon së tepërmi krahu i djathtë i mesfushës. Disa minuta të ndeshjes së improvizuar, Bulku e vizitoi këtë krah, duke dialoguar me Salihin. Më pas, këmbëshpejti tiranas “fshihej” në dendësinë e mesfushës dhe papritur shfaqej edhe në ndihmë të mbrojtjes. Kuzhe vendos të bëj të vetmin zëvendësim. Është pikërisht ky pra, krahu i djathtë i mesit të fushës, i barabartë me fuqizimin e alternativave sulmuese. Atëherë cili ishte ndryshimi? Klodian Duro, i cili nuk u pa të mërkurën tek fanellat e kuqe, ndërsa dje u vendos në krahun e djathtë të mesfushës. Agolli u vendos në të majtë të ekipit “kundërshtar”. Dilema koklavitet më tej. Do të jetë Duro në formacionin kryesor? Po në vend të kujt? Për momentin kjo nuk kuptohet lehtë.
Shpejtësia – Edhe në shënimet e mëparshme është nënvizuar fakti, se futbollistët e ekipit përfaqësues mbeten shumë të intonuar. Edhe në stërvitjen e djeshme është kërkuar të luhet shpejt dhe topi të prekej sa më pak dhe të kalonte në sa më shumë këmbë futbollistësh. Kjo gjë është realizuar dukshëm mirë. Kroati është dëgjuar të inkurajojë dhe të përplasë duart në formë miratimi të asaj që kryhej nga futbollistët, konform asaj çka kërkohej edhe prej tij. Në një çast, teksa loja vazhdonte, Kuzhe thërret Salihin dhe diskutojnë mënyrën e mirëvendosjes së tij në momentit e atakimit të portës.
Përfundimi – Stërvitja nuk zgjati më shumë se 70 minuta, një çerek ore më pak nga përgatitja e datës 23 mars. Edhe përfundimi i saj ishte krejt ndryshe. Pasim në vijën ballore të zonës së mbrojtjes, kalim i topit pranë flamurit të këndit dhe krosim pranë pikës së 11 metërshit. Qëllimi ishte që futbollistët e planifikuar, të kërcenin në ajër për të goditur topin me kokë. Por, në këto veprime nuk morën pjesë Bogdani, Lala dhe Cana. Madje Bogdani ndahet paksa veç me Lalën dhe dëgjuam të diskutonim mbi mënyrën e të luajturit. Nuk bëhej e qartë në se ishin dakord, apo jo me mënyrën taktike të të luajturit (4.4.2), por diskutimi i tyre nxitej nga shqetësimi për të përballuar sa më mirë lakminë për të fituar ndaj bjellorusëve. Pas kroseve, Kuzhe rreshton disa futbollistë në vijë të drejtë, në kufirin e 16 metërshit të cilët goditnin pa pushim në pozicione statike kuadratin e portës së mbrojtur nga Beqaj dhe Ujkani. Në orën 17.15, kombëtarja shqiptare largohet nga Niko Dovana, për të vazhduar seancën e fundit stërvitore sot pasdite në stadiumin e Kavajës.
Ujkani: Luaj titullar me bekimin e Beqajt
Me gjasa ai do të jetë portieri titullar në ndeshjen e nesërme ndaj Bjellorusisë. Një gjë të tillë e konfirmon vetë në konferencën e djeshme për shtyp. “Edhe e prisja të isha titullar, edhe jo. Them këta, pasi kisha folur më parë me trajnerin dhe ai më kishte komunikuar se falë lojës sime të mirë me ekipin tim në Itali, do të mund të luaja titullar në Kombëtare. Nga ana tjetër, kam marrë parasysh gjithnjë që përballë kam edhe Beqaj, një portier të cilin unë personalisht e vlerësoj shumë. Ai më ka ndihmuar shumë gjatë kësaj kohe. Vetëm muajin e fundit më ka telefonuar gjashtë herë dhe ka pasur një komunikim shumë të mirë me të”, ka pohuar Ujkani. Më tej, portieri i Novarës në kampionati italian të futbollit ka bërë edhe krahasimin mes Kombëtares dhe skuadrës ku ai aktivizohet në Serinë B. “Ka një ndryshim të madh mes Kombëtares dhe Novarës. Nëse në kampionatin italian luaj në serinë B, ndaj lojtarëve dhe skuadrave më inferiore këtu, në Kombëtare luaj me një tjetër standard lojtarësh ndaj edhe përgjegjësia është më e madhe. Në rastin konkret, Bjellorusia nuk është një skuadër që sulmon shumë, por fakt është se në ato pak raste, nëse nuk je i përqendruar, të ndëshkon ndaj duhet të kemi kujdes”, ka vazhduar Ujkani.
Arbitrat
Ndeshja Shqipëri-Bjellorusi do të gjykohet nga një treshe suedeze me arbitër kryesor, Markus Stromberg-son. 35-vjeçari është arbitër i FIFA-s që prej 2006-ës dhe deri tani ka arbitruar 27 ndeshje ndërkombëtare. Asistentë të tij do të jenë, Magnus Sheblom dhe Daniel Vernmark. Arbitër rezervë për këtë ndeshje është caktuar Jonas Erikson, ndërsa delegat i UEFA-s do të jetë izraeliti Jakob Erel.
© Panorama.al











