Kuvendi mblidhet nesër për amnistinë dhe shtyrjen e hetimit parlamentar

Apr 20, 2011 | 10:44

Kuvendi do të mblidhet nesër “jashtë radhës”. Edhe pse dy javë më parë u arrit marrëveshja PS-PD për të pezulluar seancat parlamentare deri në përfundim të zgjedhjeve vendore të 8 majit, deputetët kanë marrë njoftimin për t’u kthyer në Kuvend. Shkak janë bërë dy çështje të rëndësishme, të cilat kanë ngelur pezull, siç është projektligji “Për legalizimin e kapitalit, dhënien e amnistisë për disa vepra penale dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor” (2 variante), si dhe projektvendimi “Për shtyrjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit hetimor të Kuvendit, të ngritur me Vendimin Nr. 82, datë 23.1.2011”. Për këtë të fundit, burime të sigurta pranë Komisionit bëjnë të ditur se Partia Socialiste ka kërkuar “ngrirjen” e këtij hetimi parlamentar për një muaj, pra derisa të përfundojë fushata elektorale dhe Kuvendi të rifillojë normalisht punën, por këto ditë të mos llogariten në afatin e përgjithshëm prej 4 muajsh që ka në dispozicion ky komision. Konkretisht, ky komision e ka nisur punën më 24 mars dhe i binte që ta përfundonte në korrik, por më këtë “ngrirje” rezulton që ta përfundojë në gusht. Megjithatë, edhe gushti mbetet për t’u diskutuar, duke qenë se është muaj pushimesh.

Rendi i ditës, 21 prill

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare.
2. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak financiar ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”.
3. Projektligj “Për legalizimin e kapitalit, dhënien e amnistisë për disa vepra penale dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor”. (2 variante)
4. Projektvendim “Për shtyrjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit hetimor të Kuvendit, të ngritur me Vendimin Nr. 82, datë 23.1.2011”.
5. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. (60’)

© Panorama.al

Te lidhura