Kuvend, rrëzohet dekreti i presidentit për akcizën

Apr 25, 2011 | 15:02

TIRANË- Maxhoranca në Kuvend ka rrëzuar dekretin e presidentit për ligjin për akzicën, kthyer mbrapsh për shqyrtim. Me 73 vota pro, deputetet kanë rrëzuar dekretin, që argumentuar nga kreu i shtetit kishte një sërë problemesh, diskriminonte biznesin vendas dhe biente në kundërshtim me MSA-në. Ligji për disa ndryshime në ligjin për akcizat, është miratuar në Kuvend më datë 23 mars dhe priste firmën e Topit, që të hynte në fuqi. Ligji parashikonte që prodhuesit e produkteve të akcizës të vendosin pulla fiskale në produktet e tyre. Kjo ishte një kosto shtesë, e cila ndikonte direkt në politikat e kostos të këtyre prodhimeve. “Në mbështetje të nenit 85, paragrafi 1 i Kushtetutës, më lejoni t’ju bëj me dije se kam vendosur të mos e shpall, por ta kthej edhe një herë për rishqyrtim në Kuvend.”
Shkelja e MSA
Arsyeja për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet kryesisht me ndryshimin dhe shtesat që i bëhen nenit 24 të ligjit ekzistues. Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me ligjin nr. 9590, datë 27.7.2006 “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare”. Konkretisht,    neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndër të tjera parashikon se “që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë”. Në vetvete ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim–Asociimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës. Sipas gjykimit tim, vendosja e këtij rregullimi të ri ligjor, prish parimin e një sistemi ekonomik të bazuar në ekonominë e tregut, sanksionuar kjo dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi sjell një trajtim diskriminues për prodhuesit vendës. Me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, vendi ynë ka marrë përsipër jo vetëm angazhimin për rritjen e lirive politike e ekonomike që janë bazat themelore të kësaj marrëveshjeje, por edhe angazhimin ndaj parimeve të ekonomisë së tregut të lirë.”
Ndikimi në ekonomi
Por përveç shkeljes ligjore të MSA, ligji ka një ndikim, sipas Topit edhe në ekonomi. “Sipas vlerësimit tim, ndryshimet e shpejta në ligjin e paraqitur për shpallje, vijnë si pasojë e hyrjes në fuqi të kontratës së koncesionit, për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, kontratë e cila kërkon implementimin e disa ndryshimeve të kuadrit ligjor ekzistues, brenda një afati shumë të shkurtër kohor, përfshirë këtu edhe ligjin për akcizat. Ndryshimet e shpejta, përveçse nuk sjellin pritshmërinë e dëshirueshme, mund të shkaktojnë një efekt tërësisht të kundërt. Ligje të këtij karakteri janë ligje me pasoja të ndjeshme, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e një klime, të favorshme apo jo, për zhvillimin dhe nxitjen e ekonomisë së tregut. Ky ligj, përveçse shton koston e prodhimit të industrisë vendase, mund të sjellë dhe një tjetër efekt negativ në lidhje me të punësuarit pranë kësaj industrie, e cila mund t’u shkaktojë këtyre të fundit humbjen e vendit të punës.”

© Panorama.al

Te lidhura