Komiteti i Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrë dje vendimin për të dobësuar dollarin, çka do të japë menjëherë efektet e saj në bursa dhe tregje. Njoftimi për mosndryshim të politikës monetare pas mbledhjes, do të thotë një nënçmim të dollarit karshi euros menjëherë pas përfundimit të mbledhjes. Më herët, nga Komiteti pritej që të kishte një veprim më agresiv në luftë kundër inflacionit, por SHBA kanë vendosur të vijojnë të mos e ndryshojnë politikën. Dollari ndërkohë po përballet me uljen më të madhe në tre vitet e fundit, dhe kjo situatë besohej se do të nxiste në një vendimmarrje të re të Rezervës Federale. Po kështu, në mbledhje, përveçse diskutimit mbi dollarin, pritej që kreu i Rezervës, Ben Bernanke, të diskutonte rreth parashikimit të zhvillimit ekonomik dhe përfundimin e programit të blerjes së 600 miliardë dollarëve në qershor. Ndryshimet për dollarin priteshin edhe pas vendimmarrjes së Bankës Qendore Europiane për rritjen e normës së interesit të euros.











